Një rekord i lartë prej 18.3 gradë Celsius u mat në Antarktidë. Temperatura është 0.8 gradë Celsius më e lartë se rekordi i mëparshëm prej 17.5 gradë në mars 2015.
Leximi u bë nga Baza Kërkimore argjentinase Esperanza, transmeton KosovaPress.
Temperatura u mat në pjesën veriperëndimore të kontinentit – një nga rajonet me ngrohje më të shpejtë në Tokë.
Rekordi u konfirmua gjithashtu nga Organizata Botërore e Meteorologjisë (VMO).
“Kjo nuk është një shifër që normalisht do të ishte në Antarktidë, edhe gjatë verës,” tha zëdhënësi i VMO Claire Nalis për mediat në Gjenevë.
Temperaturat në Antarktik janë rritur për gati 3 gradë Celsius gjatë 50 vjetëve të fundit, tha VMO duke shtuar se rreth 87 për qind e akullnajave përgjatë bregdetit perëndimor janë shkrirë.
Akullnajat kanë treguar një “tërheqje të përshpejtuar” në 12 vjetët e fundit për shkak të ngrohjes globale, thonë në VMO.
Shkencëtarët paralajmërojnë se ngrohja globale po shkakton kaq shumë shkrirje në Polin e Jugut, sa që kontinenti do të shkatërrohet me kalimin e kohës. Ai gjithashtu do të bëjë që niveli global i detit të rritet me të paktën tre metra gjatë shekujve.
“Sasia e akullit të humbur çdo vit në Antarktidë u rrit të paktën gjashtë herë midis 1979 dhe 2017. Shkrirja e atyre akullnajave, ju e dini, do të thotë që ne jemi në telashe kur bëhet fjalë për ngritjen e niveleve të detit,” tha Nalis.
Ndërsa 18.3 gradë Celsius është një rekord vetëm për kontinentin, temperatura më e lartë në rajonin e gjerë Antarktik – i cili përfshin kontinentin, ishujt dhe oqeanet në zonën klimatike të tij – është 19.8 gradë Celsius, dhe u regjistrua në janar 1982.
Korrikun e kaluar, u regjistrua një rekord 21 gradë Celsius në Arktik në veri të Kanadasë.