Sa ishte kryeministër fuqiplotë, dëshpëroi kazinotë. Mbështeti mbylljen e lojërave të fatit, edhe pse mbi të dhe vëllaun e tij, rëndonin akuzat e përfshirjes në këtë biznes të pistë.
Megjithatë, nuk e la pa e bërë veprimin që zakonisht e ndërmarrin lojtarët e guximshëm të pokerit-All in!
I bindur se kauza e taksës ndaj Serbisë dhe kundërshtimi i ndarjes së Kosovës, e kishin forcuar politikisht, pa lajmëruar partnerët, i dha fund PAN-it.
Por zgjedhjet, nuk i sollën Ramush Haradinajt, rezultatin që shpresonte. As koalicioni me Shpend Ahmetin nuk i bëri punë.
AAK-ja, arriti të ruajë një përfaqësim parlamentar, në nivelet e thuajse të mëparshme, si nga cilësia e deputetëve, ashtu edhe nga numri i tyre.
Kryeministri tashmë në detyrë, nga protagonist i zhvillimeve, u vetëzhvendos me gjasë në kampin opozitar bashkë me PDK-në e Kadri Veselit.
Votuesi më tepër e dënoi për sjelljen arrogante në krye të qeverisë, skandalet e njëpasnjëshme, sesa e çmoi për taksën ndaj Serbisë dhe refuzimin e planit Thaçi-Vuçiq-Rama, që synonte pazare territoriale mes Kosovës dhe Serbisë.
Pavarësisht rezultatit, Ramush Haradinaj duket komod, sepse e ruan ende një ndikim politik te një pjesë e votuesve.
Për dallim prej Fatmir Limajt, ai nuk lufton për mbijetesë që ta kalojë pragun elektoral. Megjithatë, fuqia e tij, është zbehur ndjeshëm
pas zgjedhje ve të 6 tetorit.
Protagonisti kryesor tani është Albin Kurti, të cilit duhet t’ia dorëzojë mandatin e lënë përgjysmë. Zemërimi ndaj tij, nuk është zvogëluar. Ramushi vazhdon ta quajë mashtrues Albinin, por këtij të fundit, pak përshtypje i bën kjo retorikë.
AAK-ja, edhe pas këtyre zgjedhjeve, nuk arriti të shfaqet si një subjekt i rritur, serioz dhe me një ekip bindës. Kjo parti identifikohet me dy vëllezërit Haradinaj, ndërsa çeta që ju shkon pas, janë servisi i tyre.
Si e tillë, vendi i katërt duhet të konsiderohet lajm i mirë për kryeministrin në dorëheqje. Nëse nuk e reformon partinë, dalja në opozitë, do ta lodhë edhe financiarisht.
Ramushi e kishte shansin ideal, kur erdhi sërish në pozitën kryeministrit, që ta përmbyllte një mandat të plotë, por dështoi.
Në rastin e taksës, thjesht, i bëri hesapet pa hanxhinë. Ai realizoi ambicjen e tij të shfrenuar kryeministrore, ndërsa u harrua Çakorri e Zhlepi.
Votuesit, do t’a mbajnë në mend gjatë, liderin e AAK-së, jo për vrapimet e shpejta kur priste e përcillte delegacione, por për babëzinë e madhe që tregoi në qeverinë e PAN-it.
Duke mbetur parti e vogël, rajonale dhe me dominim familjar, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e ka gati të pamundur të ngjitet në rangun e partive të mëdha.
Hero në luftë, pasanik në paqe, kjo ishte me gjasë hera e fundit që e shijoi kryeministrinë.