Me 64 vota për, Kuvendi i Kosovës më në fund ka kaluar në parim projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike.
Ndër pikat më të diskutuara në kuadër të këtij projektligji ka qenë ajo që ua mundëson qytetarëve të tërheqin dhjetë për qind të mjeteve nga fondi pensional, shkruan Reporteri.net.
Por, partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës, sërish kanë dalë kundër votimit të këtij projektligji, shkruan Reporteri.net
Deputeti nga radhët e VV-së, Hekuran Murati, ka thënë se VV mban qëndrimin e njëjtë dhe me këtë synojnë që ta ruajnë shtetin.
Murati tha se ky projektligj nuk përkon me përmbajtjen. Sipas tij zgjidhja duhet të jetë ndryshe dhe ajo është pakoja ekonomike emergjente e cila prekë të gjitha shtresat e shoqërisë.
“Ne vazhdojmë të kemi qëndrimin e njëjtë, ne vazhdojmë të ruajmë shtetin, ne vazhdojmë ta mbajmë qëndrimin e njëjtë, ne mendojmë që zgjidhja duhet të bëhet ndryshe, shembullin e kanë”, tha Murati.
Njëjtë edhe deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se ky propozim gjithçka mund të quhet, vetëm pako ekonomike jo. Ai bën thirrje që të ndryshojë qasja e Qeverisë ndaj shumicës dhe të ulen e të bisedojnë për të bërë një zgjidhje sa më të mirë për të gjithë qytetarët.
“Republika e Kosovës ka nevojë për koordinim opozitë pozitë, mirëpo, si opozitë këtë gatishmëri nuk e kemi parë nga Qeveria, PDK-ja nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj”, ka thënë Tahiri.
Kujtojmë se kjo është hera e shtatë që ky projektligj është dërguar për votim