Mbi 80 pjesëtarë të grupit terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës dhe vranë rreshterin Afrim Bunjaku, janë ende në liri. Ndonëse në fillim dyshohej se në këtë sulm ishin përfshirë rreth 30 terroristë të udhëhequr nga Milan Radojiçiq, Ministri Xhelal Sveçla njoftoi të dielën se numri i të përfshirëve ka qenë mbi 90. Tre terroristë janë vrarë, tre të tjerë janë në paraburgim, derisa të tjerët kanë ikur, mes të cilëve është edhe Radojiçiq, i cili është arrestuar sot në Serbi. Sveçla ka thënë se do të kërkojnë nga Serbia, përmes shteteve aleate, ekstradimin e Radojiçiq dhe të gjithë terroristëve të tjerë.
Në orët e para të mëngjesit të 24 shtatorit, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup terrorist në fshatin Banjskë të Komunës së Zveçani. Terroristët vranë rreshterin Afrim Bunjaku dhe plagosën policin Alban Rashiti.
Ditën kur ndodhi sulmi, kryeministri Albin Kurti tha se bëhej fjalë për një grup prej rreth 30 personash të armatosur rëndë.
“Siç thash dhe më herët sulmet mbi policinë tonë janë duke vazhduar. Janë së paku 30 persona të armatosur rëndë, profesionistë, ushtarakë a policë, të cilët ndodhen nën rrethimin e forcave tona policore dhe të cilët i ftoj që të dorëzohen te organet e tona të sigurisë. Pra, janë së paku 30 të tillë. Ata janë që po e sulmojnë policinë tonë edhe pasi që kanë vrarë Afrim Bunjakun e kanë plagosur Alban Rashitin”, deklaroi Kurti, në një konferencë për media ditën e sulmit.
Pas hetimeve të kryera, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, njoftoi të premten se numri i pjesëtarëve të grupit terrorist është mbi 80.