Qeset e plastikës janë bërë me pagesë e disa do të ndalohen krejtësisht. Kjo falë finalizimit të Udhëzimit Administrativ. Kështu ka bërë të ditur, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.
Në një konferencë për medie së bashku me shefin për Bashkëpunim në Zyrën e BE-së në Kosovë, Alessandro Bianciardi, Aliu tha se ndalimi i qeseve të plastikës nga 0 deri 25 micron do të jetë i menjëhershëm. Sipas tij ato do të lejohet të përdoren vetëm për fruta.
Ndërsa për qeset prej 25 deri në 50 mikron ministri Aliu deklaroi se do të lejohet përdorimi i tyre por që do të jenë me pagesë dhe se nuk do të kenë logo të prodhuesve.
“Me udhëzimin administrativ që ka të bëjë me qeset e plastikës do të ju informoj se do të kemi ndalim të qeseve të plastikës nga 0 deri 25 micron. Pra qeset e holla të plastikës të cilat përdoren sot dhe mund të merren në markete falas do të ndalohen plotësisht. Nga 0 de 25 micron do të lejohen vetëm qeset të cilat përdoren për fruta e nuk do të kenë ato mbajtëset. Ndërsa qeset nga 25 deri në 50 micron do të lejohet përdorimi i tyre dhe do të kushtojnë 5 cent por nuk do të lejohet që të kenë logo të prodhuesve”, tha Aliu.
Ai tha se do të kemi ndalim të prodhimit, importeve dhe shitjes në treg të qeseve plastike mbajtëse që nuk janë të biodegradueshme.
“Do të kemi ndalim të prodhimit, importeve dhe shitjes në treg të qeseve plastike mbajtëse ose degraduese… Për qeset e plastikës të biodegradueshme të çfarëdo madhësie dhe trashësie me një certifikatë përkatëse që vërteton që qeset e plastikës janë nga materiali i biodegradueshëm do t’i vendoset çmim prej 0.02 euro. Për qeset e plastikes mbajtëse me doreza mbi 50 micron nuk do të vendoset çmim shitje minimal detyrues e as tarifë prej 0.02 euro”, u shpreh tutje Aliu.
Ministri Aliu tha se me udhëzimin administrativ do të krijohet mundësia e rimbursimit të dispozitave, megjithëse një gjë e tillë sipas tij do të marrë kohë.
“Për depozita është çështje tjetër, është një projekt i cili me udhëzimin administrativ krijohet mundësia fillimit të sistemit të rimbursimit dhe depozitës po i cili nuk mund të filloj menjëherë. Për ta filluar sistemin e rimbursimit dhe depozita e duhet të ndërtohet një sistem ku do të jenë të përfshir edhe prodhuesit, edhe shitsit edhe imortuesit e ambalazhit që janë shishet e plastikës, kanaçet e aluminit, shishet e qelqit. Është projektuar që të mbajë të paktën këto shishe 0.25 litra lëngë dhe më së shumti deri në 2 litra lëngë dhe të jenë të mbyllura në gjendje hermetike dhe të pa përshkueshme nga uji në pikën e shitjes. Ato cka përjashtohen nga sistemi i rimbursimit dhe depozitave janë ambalazhi i produkteve të qumështit, ambalazhi i pijeve alkoolike, kavanozat e qelqit dhe kuti prej kartoni”, u shpreh Aliu.
“Që të fillohet ky sistem duhet ndërtuar një sistem nëpër të gjitha markete dhe menaxhimi i tyre duhet që të bëhet nga palët e rëndësishme që i përmenda. Në të gjitha marketet e sidomos ato të mëdha duhet që të jenë pajisjet e rimbursimit në mënyrë automatike që i bie që qytetarët, të gjitha këto ambalazhe do të kenë shenjën përkatëse të vendosur në to e cila në mënyrë elektronike do të mund ta rikthejë depozitën ta rimbursoj përmes pajisjeve që do të vendosen nëpër markete. Këto sisteme i kemi parë dhe janë duke u aplikuar edhe në vendet e BE-së”, tha tutje Aliu. /EO/