Angela Griep, zëdhënëse e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka thënë se më 30 tetor, do të rifillojnë seancat në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët.
Seanca e fundit ndaj Thaçit dhe të tjerëve është mbajtur në 17 tetor derisa një ditë më vonë seanca e paraparë ishte shtyrë 30 minuta pasi kishte filluar.
Griep, përmes informimit javor, ka njoftuar DhSK-ja kohën më të madhe ia ka kushtuar çështjes së Sabit Januzit dhe Ismet Bahtjarit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas zëdhënëses Griep në çështjen gjyqësore, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtjari, versioni i redaktuar publik i Vendimit Kornizë mbi Nxjerrjen e Provave dhe Çështje të Lidhura me To, u bë publik më 24 tetor.
”Korniza ligjore e DHSK-së përcakton hapat e ndryshëm proceduralë që duhet të ndërmarrin Gjykatësi i Procedurës Paraprake dhe palët gjatë fazës së procedurës paraprake për t’u siguruar që çështja të përgatitet për t’iu kaluar trupit gjykues. Një nga hapat kryesorë është krijimi i një sistemi për shkëmbimin e provave mes palëve. Miratimi i sistemit që garanton një proces efikas të nxjerrjes së provave është thelbësor për Gjykatësin e Procedurës Paraprake për të gjetur ekuilibrin mes detyrës për të garantuar mbrojtjen e dëshmitarëve dhe të viktimave dhe detyrimit për të mbështetur të drejtat e të akuzuarve”, tha zëdhënësja Griep.
Me tej ajo shtoj se Vendimi përmban edhe kalendarin për nxjerrjen e kategorive të ndryshme të provave.
“Gjykatësi i Procedurës Paraprake urdhëroi ZPS-në të përfundojë nxjerrjen e të gjitha provave ku mbështetet Aktakuza, së bashku me versionin e redaktuar publik (të redaktuar) të përmbledhjes së hollësishme të këtij materiali, deri të mërkurën, më 8 nëntor 2023”, tha Griep.
Gjatë kësaj konference u tha se materialet që ZPS-ja synon të përdorë gjatë gjykimit, si deklarata dëshmitarësh, aktekspertiza apo prova materiale, duhet të nxirren deri më 15 dhjetor 2023. Gjykatësi i Procedurës Paraprake po ashtu urdhëroi ZPS-në të dorëzojë kërkesat për masa mbrojtëse lidhur me këto materiale, sa më shpejt, por jo më vonë se 17 nëntori 2023.
Gjithashtu u tha se ZPS-ja duhet t’i japë Mbrojtjes njoftim të hollësishëm për provat, ku të përmendë materialet dhe provat që ka në zotërim, deri të premten, më 26 janar 2024. Mbrojtja urdhërohet të njoftojë ZPS-në jo më vonë se të premten, 9 shkurt 2024, se në cilin prej materialeve të përmendura kërkon qasje. ZPS-ja duhet t’i japë Mbrojtjes qasje në materialet e përzgjedhura që nuk kërkojnë redaktime, jo më vonë se të premten, 16 shkurt 2024, si dhe të dorëzojë kërkesë për masa mbrojtëse të materialit të përzgjedhur, deri të premten, 23 shkurt 2024.
Gripe në vazhdim të konferencës tha se ZPS-ja urdhërohet të kërkojë redaktime për provat shfajësuese, nëse ka, sa më parë dhe të nxjerrë menjëherë materialin e redaktuar për Mbrojtjen.
“Gjykatësi i Procedurës Paraprake gjithashtu urdhëroi ZPS-në të informojë pa vonesë Gjykatësin e Procedurës Paraprake në qoftë se ka prova që i konsideron informacion të mbrojtur që nuk janë objekt i nxjerrjes së materialit”, u tha gjatë kësaj konference.
Zëdhënësja Gripe tha se të dyja palët urdhërohen të dorëzojnë tabelat që përmendin dokumentet që do të nxirren për palën tjetër, të kategorizuara sipas akuzave në Aktakuzë, brenda një jave nga dorëzimi i dosjeve paraprake përkatëse.
Ajo po ashtu tha se Gjykatësi i Procedurës Paraprake urdhëroi Zyrën për Mbrojtjen dhe Mbështetjen e Dëshmitarëve të dorëzojë brenda pesë ditësh një vlerësim individual rreziku për secilin prej dëshmitarëve për të cilët palët kanë dorëzuar kërkesë për mosnxjerrje materiali.
Në fund të kësaj teme, Gripe tha se Gjykatësi i Procedurës Paraprake miratoi kërkesën e ZPS-së për të miratuar Kornizën për Informacionin Konfidencial dhe Kontaktet e Dëshmitarëve, sikurse specifikohet në vendim dhe urdhëron palët të zbatojnë Kornizën në fjalë.
Gjatë kësaj konference u tha se në çështjen Pjetër Shala, dëshmitari i katërt i Mbrojtjes dha dëshmi nga e hëna deri të mërkurën e kësaj jave.