Në Gjilan katër mësimdhënës kanë rezultuar pozitivë me koronavirus, në testimet që u janë bërë mësimdhënësve para fillimit të vitit shkollor.
Komiteti i Emergjencave në Gjilan ka treguar se mësimdhënësit janë duke u trajtuar nga mjekët.
Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka falënderuar institucionet që janë të vendosura për të garantuar zhvillimin e mësimit në shkolla, ndërsa ka thënë se gjendja me COVID-19 në Gjilan është e qetë dhe vazhdimisht në rënie.
“Gjendja është e qetë dhe nën kontroll të vazhdueshëm të ekipeve shëndetësore. Deri tani nga rezultatet e pranuara kemi 4 mësimdhënës që kanë rezultuar pozitivë dhe menjëherë janë marrë masat e nevojshme sipas protokollit shëndetësor dhe në bazë të planifikimit të MASH-it. Në gjendjen e përgjithshme, Gjilani vazhdon t’i ketë 119 raste aktive me Covid-19, nga gjithsej 936 raste pozitive sa kishim që nga 13 marsi e deri më sot. 776 pacientë janë shëruar plotësisht dhe për fat të keq 41 pacientë kanë humbur betejën me Covid-19. Mostra në pritje janë gjithsej 33, ndërsa të hospitalizuar i kemi 24 pacientë, të cilët janë nën monitorimin e vazhdueshëm”, ka thënë Haziri.