Partia opozitare, OLaNO, shkurtesë e një emërtimi që në gjuhën shqipe do të thotë “Partia e Njerëzve të Rëndomtë”, ka shënuar fitore të madhe në zgjedhjet parlamentare të Sllovakisë. Premtimi kryesor i saj gjatë fushatës zgjedhore ishte lufta kundër korrupsionit.
Pas numërimit të pothuajse të gjitha votave, kjo parti i mori gati 25 për qind të tyre. Popullariteti i kësaj partie u rrit javëve të fundit, kryesisht për shkak të premtimeve dhe agjendës për luftën kundër korrupsionit.
Këto zgjedhje e larguan nga pushteti partinë e qendrës së majtë, Smer-SD, e cila ka mbizotëruar në skenën politike të Sllovakisë për më shumë se një dekadë. Kjo parti kësaj radhe i mori vetëm 18 për qind të votave.
Kryeministri i deritashëm, i cili ishte nga radhët e partisë Smer-SD, Peter Pellegrini, e pranoi humbjen në zgjedhjet e së shtunës, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.
Fushata zgjedhore u mbizotërua nga zemërimi i votuesve për vrasjen e vitit 2018 të gazetarit hulumtues, Jan Kuciak, dhe të fejuarës së tij, Martina Kusnirova.
Ky gazetar ishte duke i hulumtuar rastet e korrupsionit të lartë, kur u vra. Vrasja e tij kishte ndikuar që kryeministri i atëhershëm, Robert Fico, të rrëzohej nga pushteti.