Lidhja Demokratike e Kosovës është partia më e vjetër dhe me më së shumti ndarje e përçarje. Partia e themeluar nga Hashim Thaçi, ndërkaq, ka pasur një ndarje të madhe kur u larguan Fatmir Limaj e Jakup Krasniqi. Ndërkaq, Partia e Albin Kurtit u përça në vitin 2017 duke i ikur 12 deputetë.
Kur Aida Dërguti, më 11 dhjetor të vitit 2017, ishte larguar nga Lëvizja Vetëvendosje kishte nisur një fushatë kundër saj. E kishin lidhur me PDK’në dhe SHIK’un. I patën publikuar fotografi me Xhavit Halitin e PDK’së të realizuara nga takimet zyrtare.
Nuk ishin ndalur me kaq. Kishin kërkuar edhe shkarkimin e saj nga pozita e Nënkryetares së Kuvendit. Gjykata Kushtetuese kishte refuzuar kërkesën e Vetëvendosjes e cila kërkonte shkarkimin e saj.
Atëkohë, askush s’e mbronte Dërgutin por shumica e grave të Vetëvendosjes pajtoheshin me vendimin e Partisë.
Largimi i Aida Dërgutit dhe 12 deputetëve tjerë nga Vetëvendosje shënon edhe thyerjen e parë të Partisë e cila dështoi të qëndrojë në pushtet më shumë se dy muaj.
Pos Dërgutiti nga Vetëvendosje ishin larguar edhe Shpend Ahmeti e Qendron Kastrati, të cilët fituan si kryetarë komunash me partinë e Albin Kurtit. Pos tyre, edhe VV e kishin braktisur edhe Fisnik Ismaili, Dardan Sejdiu, Dukagjin Gorani e zyrtarë tjerë.
Nga PDK’ja doli NISMA e Limajt e Krasniqit
Ndarja të partisë ka pësuar edhe Partia e themeluar nga Hashim Thaçi. Është krijuar NISMA për Kosovën e Fatmir Limajt e Jakup Krasniqit. Në zgjedhjet e fundit kjo parti mezi hyrë në Parlament pavarësisht se kishte edhe koalicion me AKR’në e Behgjet Pacollit.
Limaj e Krasniqi ishin larguar nga PDK’ja në kohën kur përgatitej terreni për Shefin e ri të Partisë, Kadri Veselin, i cili vazhdon të udhëheq partinë e tretë në vend.
Limaj e Krasniqi kishin marrë me vete edhe zyrtarë tjerë të PDK’së përfshirë Skender Reçicën, Bilall Sherifin.
Nga PDK, po ashtu, janë larguar edhe vëllezërit Kurteshi, Samiu dhe Ismaili. Në Vetëvendosje pos këtyre dyve ka shkuar edhe Hydajet Hyseni, i cili kishte qenë dikur edhe Nënkryetar i LDK’së e themelues i LBD’së me Rexhep Qosjen.
Kraja, Berisha, Krasniqi, Buxhovi… Vjosa Osmani
Ish-Nënkryetarja e LDK’së, Vjosa Osmani ka paralajmëruar ballafaqim në zgjedhje me gjithë ata që votuan pro shkarkimit të saj. E ka lënë të hapur mundësinë e krijimit të një partie politike për t’u ballafaquar me LDK’në dhe partitë tjera në zgjedhjet e përgjithshme.
Vjosa Osmani gëzon përkrahjen e disa deputetëve të LDK’së por nuk dihet nëse do të shkojnë me te nëse themelon parti të re.
Haxhi Avdyli, Faton Peci, Lumir Abdixhiku, Anton Quni janë vetëm disa prej anëtarëve të KP të LDK’së që votuan kundër shkarkimit të Vjosa Osmanit, e cila ka mbajtur qëndrim dhe ka votuar kundër nismave të LDK’së në Parlament.
Madje, Osmani në një moment ka thënë se edhe zogjtë e malit janë në dijeni se ka qëndrim të ngjashëm me Albin Kurtin.
Pas shkarkimit të saj, një pjesë e zyrtarëve të VV’së i kanë dalë në mbrojtje përfshirë edhe Mimoza Kusarin, e cila ka ndërruar disa parti politike përfshirë AKR’në, Alternativën e tash është deputetet e VV’së.
Sidoqoftë, prej se ishte themeluar Lidhja Demokratike e Kosovës është përballur edhe me procesin e largimit të njerëzve, kryesisht të fuqishëm.
Partia e parë e dalë nga LDK’ja është ajo e Halil Alidemës UNIKOMB, e cila ishte themeluar nga një grup i pakënaqur kryesisht të linjës enveriste në LDK.
Largimet tjera në LDK kishin ndodhur edhe në vitin 1993 kur ishte larguar Mehmet Kraja, Ibrahim Berisha. Një vit më herët ishte larguar edhe Jusuf Buxhovi i cili kishte dështuar të merrte funksione partiake.
Në 1994, në Kuvendin e Dytë, prej LDK’ja ishte ndarë në dysh, kur një pjesë e madhe e e ish-të burgosurit politikë marrin funksione në parti. Në atë kohë, edhe Fehmi Agani kishte paralajmëruar largimin por ishte bindur të kthehej në LDK bashkë me grupin tjetër siç ishte Anton Kolaj, Skender Blakaj, Edita Tahiri e Regjep Gjergji.
Në Kuvendin e 25 shkurtit 1998, në Kuvendin e Tretë, largohen Hydajet Hyseni, Mehmet Hajrazi, Zenun Pajaziti, Ramë Buja, Jakup Krasniqi, Selatin Novosella.
Grupi i ish-të burgosurve politikë themelojnë partinë tjetër LBD me idenë e një LDK’je të re, të cilën e udhëheq Rexhep Qosja bashkë me Hydajet Hysenin dhe një pjesë të ish-zyrtarëve të LDK’së.
Largimet në LDK vazhdojnë edhe pas përfundimit të luftës.
Njëri prej themeluesve të LDK’së, Milazim Krasniqi largohet nga Partia e Rugovës në vitin 2000.
Nga LDK largohet edhe Bujar Bukoshi i cili pastaj themelon Partinë e Re të Kosovës. por që dështon të etablohet në skenën politike, duke u rikthyer prapë në LDK.
Edhe Edita Tahiri largohet pas përfundimit të luftës nga LDK’ja. Formon Alternativën Demokratike, me të cilën nuk arrin ndonjë sukses të madh në skenën politike.
Nga Partia e Rugovës duke pasur funksion partiak pas luftës largohet edhe Fadil Hysaj.
Pas luftës nga LDK janë larguar edhe Melihate Tërmkolli në AAK për t’u kthyer prapë në LDK, pastaj Blerim Kuçi, Haki Shatri etj.
Ndarja më e madhe në LDK ndodh më Kuvendin e Karrigeve. Në fund të vitit 2006, disa muaj pas vdekjes së Ibrahim Rugovës ndodh edhe ndarja më e madhe të cilës i prinë Nexhat Daci.
Bashkë me Dacin largohen edhe Adem Salihaj, Besa Gaxherri e Naser Rugova.