Kosova ka humbur sot një prej grave më të përkushtuara e të heshtura të saj. Ka ndërruar jetë nëna Ajmne Sefaj,nga Vrella e Istogut, gruaja që me duart e saj qepi uniformat e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e sakrificës dhe lirisë sonë.
E njohur për thjeshtësinë, qëndrueshmërinë dhe punën e palodhur, nëna Ajmane ishte një simbol i grave shqiptare që nuk kërkuan asnjëherë lavdi, por u bënë vetë lavdia e kombit. Ajo qepte rroba kombëtare me fije të trashëguara nga nëna, thurte qilima kuq e zi me dashuri e krenari, dhe kur erdhi koha e luftës, pa hezitim qepi uniformat e bardha të UÇK-së, që luftëtarët të mbroheshin e të qëndronin të fortë.
Nëna Ajmne ishte shembulli i nënës shqiptare që hesht, por nuk dorëzohet. Ajo mbajti mbi supe një jetë të tërë, rriti fëmijë me bukë e ndershmëri, ruajti shtëpinë, dhe la kujtimin e saj në çdo copë rrobe, në çdo flamur të thurur, në çdo kafshatë të gatuar me zemër.
Larg vëmendjes së zhurmshme, por gjithmonë e pranishme, ajo u bë flamur i heshtur që valonte për atdheun. Sot, Vrella e Kosova i përkulët me nderim jetës, sakrificës dhe kujtimit të saj.
Lamtumirë, nënë Ajmne. Emri yt do të mbetet i gdhendur në historinë e lirisë.
U prehsh në paqe, nënë Ajmane.
Trashëgimia jote nuk do të harrohet kurrë.
Të kujtojnë përjetë djemtë Artini dhe Shkumbini, si dhe vajza Florija dhe familja e gjerë.
Varrimi i së ndjerës do të bëhet më 05.09.2025, në varrezat e fshatit Vrellë, ora 17:00














