Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, i ka dërguar një njoftim Komunës së Vitisë për të marrë pjesë më 8 janar në përurimin e shkollës “Halil Alidemaj” në Pozhoran dhe të çerdhes në Drobesh. Megjithatë, situata ka nxitur polemika, pasi këto dy projekte ende nuk janë përfunduar dhe nuk kanë kaluar pranim teknik.
Sipas burimeve, te Telegramitsot këto projekte nuk janë investime të Ministrisë së Arsimit, por të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Komunës së Vitisë. Për këtë arsye, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka refuzuar të marrë pjesë në këtë ceremoni. Ai deklaroi për Telegraminsot se:
“Unë nuk mund të marr pjesë në një përurim të projekteve që ende nuk janë të përfunduara. Nuk është etike dhe nuk përfaqëson standardet që duhet të ndjekim si institucione publike.”
Kjo situatë ka ngritur pikëpyetje mbi koordinimin institucional dhe mbi qëllimin e përurimeve për projekte të papërfunduara, duke sjellë reagime të ndryshme nga qytetarët dhe aktorët lokalë. Përurimi i ndërtesave arsimore është i rëndësishëm, por shqetësimet për cilësinë e punimeve dhe respektimin e standardeve teknike mbeten prioritet për shumë banorë të zonës shkruan Telegramisot.