Shpërndarja e Kuvendit të Kosovës është caktuar data 22 gusht për të cilin edhe Lidhja Demokratike e Kosovës i ka deponuar votat për mocionin.
Kryetari i kësaj partie Isa Mustafa, thotë se janë të vendosur që të shpërndajnë Kuvendin dhe të shkojnë në zgjedhje të reja, në mënyrë që të formohet një qeveri legjitime dhe e cila merret me temat të cilat, sipas tij, kanë stagnuar gjatë Qeverisë Haradinaj.
“Ne si LDK qëndrojmë fuqishëm brenda asaj që se duhet të shpërndahet Kuvendi duhet të shkohet në zgjedhje të reja. Duhet të votohet në zgjedhje një qeveri që ka legjitimitet qytetar dhe një qeveri e cila duhet të merret me çështje të cilat kanë stagnuar gjatë kësaj periudhe kohore dhe për të cilat kemi edhe presion të brendshëm, ma tepër çështje ekonomike për çështjet e sundimit të ligjit funksionimit të shtetit ligjor. Por edhe për çështje të dialogut edhe të integrimeve evropiane për të cilat kemi kërkesa të partnerëve tanë ndërkombëtarë, por kemi edhe nevojat tona të brendshme sepse aty ardhmërinë tonë”, thotë Mustafa.
Mustafa ka komentuar edhe takimin me liderin e Vetëvendosjes Albin Kurtin dhe mundësinë për një koalicion parazgjedhor me këtë parti.
Ai thotë se nuk ka biseduar për një temë të tillë, pasi që janë marrë vesh që për të përafruar qëndrimet duhet të krijojnë grupe teknike.
“Ne nuk kemi biseduar konkretisht për koalicione sepse jemi marrë vesh që, për koalicione duhet të zhvillohet biseda kushtimisht ndërmjet grupeve teknike të subjekteve politike në mënyrë në mënyrë që të shihen krejt parakushtet për koalicion dhe poshtu të duhet të vendoset në organet të LDK-së tash po flas për veti të cilat marrin qëndrim për koalicione, është këshilli i përgjithshëm i LDK-së”, thotë ai.
I pyetur nëse LDK-ja do të pranonte Albin Kurtin për kryeministër, Mustafa thotë se ende nuk kanë diskutuar për një mundësi të tillë, teksa shprehet se LDK-ja është e vendosur të udhëheqë me qeverinë e ardhshme.
‘Vullneti edhe qëndrimi i LDK-së është që LDK-ja të hyn në zgjedhje për ta pasur kryeministrin e vet, sepse ne vlerësojmë që jemi parti më e madhe jo vetëm më e madhe që del në bazë të opinionit publik por edhe mbi bazën e deputetëve që kemi tash në Kuvendin e Republikës së Kosovës mbi bazën e komunave në të cilat qeverisim, natyrisht që kjo nuk është një trashëgimi që është trashëgimi i përhershme por se ne besojmë që kemi njerëz shumë të mirë të aftë të përgatitur që ta qeverisin vendin sepse edhe në qeverisjen e kaluar kemi treguar se jemi të zot që të qeverisim vendin në pikat në të cilat të tjerët nuk kanë qeverisur si duhet”, ka thënë Mustafa për EO.