Isa Mustafa i ikën përgjegjësisë, ia lë Kurtit pataten e nxehtë të taksës dhe reciprocitetit Lideri i LDK-së, Isa Mustafa, duke se po dëshiron t’ia lërë në dorë Kryeministrit Albin Kurti pataten e nxehtë të reciprocitetit, duke i ikur kështu personalisht përgjegjësisë dhe presionit ndërkombëtar.
Mustafa ka deklaruar sot se me Lëvizjen Vetëvendosje janë dakorduar që taksa 100 % të ndërlidhet me reciprocitetin, mirëpo ka shtuar se kjo çështje tashmë i takon Qeverisë së udhëhequr nga Kurti.
“Në fillim të kësaj jave është zgjedhur Qeveria, e cila para vetes ka shumë punë, përfshirë edhe dialogun, por edhe tarifën e vënë nga Qeveria Haradinaj. Në programin qeverisës jemi pajtuar që tarifa të ndërlidhet me reciprocitetin. Kjo tani është çështje e Qeverisë dhe unë do të kursehesha që në këtë fazë të them se si duhet të bëhet”, ka thënë Mustafa për Gazetën Express.
Më tutje, ai ka thënë se reciprociteti është shumë kompleks dhe me pasoja shumëdimensionale, ndërsa ka shtuar se Qeveria duhet ta gjejë rrugën më të mirë për t’u bashkërenduar me SHBA dhe BE. Dialogu Kosovë-Serbi, për rifillimin e të cilit SHBA dhe BE vazhdojnë të këmbëngulin, është bllokuar që prej vënies së taksës 100 % nga Qeveria Haradinaj në nëntor të vitit 2018. Taksa ishte edhe arsyeja e dorëheqjes së Haradinajt nga posti i Kryeministrit, që çoi edhe në zgjedhje të jashtëzakonshme, raporton Ballkani.info.
Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, sa ishte në opozitë, pat deklaruar se është për reciprocitet, por meqë është vendosur taksa, tash ajo nuk duhet të hiqet.
“Kjo Qeveri (Haradinaj) duhet të shkojë, mirëpo taksa ndaj Serbisë duhet të mbetet”, kishte këmbëngulur Kurti. Por, këtë qëndrim Kurti e ka ndërruar pasi ka marrë postin e Kryeministrit. Gjatë ditës së djeshme ai ka thënë se taksa duhet të zëvendësohet me reciprocitet.
“Me Serbinë duhet të kemi reciprocitet politik, ekonomik dhe tregtar, si zëvendësim për tarifën 100 %”, ka thënë Kurti në një konferencë për media bashkë me Shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova.
Taksa dhe reciprociteti, siç duket, do të jetë thyerja e parë mes partnerëve të koalicionit qeverisës VV-LDK, ose lëshimi pe më i madh i tyre, pasi që për këtë çështje do të ballafaqohen me presione të mëdha ndërkombëtare. Ndërkohë, Qeveria Kurti tashmë ka filluar të ballafaqohet edhe me kundërshtimin e madh të opozitës lidhur me heqjen e taksës.