Kreu i LDK’së, Isa Mustafa, ka thënë se, meqë partia e tij tashmë e ka pozitën e kryeministrit, nuk do të ketë pretendime për postin e presidentit.
Mustafa, në emisionin ‘Pressing’, ka deklaruar se këmbënguljet për postin e të parit të vendit sjellin vështirësi në arritjen e një konsensusi, ndonëse ka thënë se LDK ka kuadro të mjaftueshme për ta mbajtur pozitën e presidentit, raporton Gazeta Express.
“LDK kemi mjaftueshëm kuadër që do e bënin këtë punë me përgjegjësi shumë të madhe, si dhe mendoj që do e prezantonin shtetin brenda e jashtë. Nuk do të kërkojmë dy pozita, edhe presidentin edhe kryeministrin e vendit. Nëse këmbëngulim që edhe ne ta kemi presidentin, vështirë se do kemi ndonjë zgjidhje”, ka thënë ai.
Ndër të tjera, ai ka kërkuar garancitë nga partitë e tjera që të mos e prishin koalicionin, në rast të përzgjedhjes së shefit të ri të shtetit.
“Droja ekziston edhe të deputetët e LDK’së. Kërkesën time që ta mbajmë tryezën nuk e kom për zgjidhjen definitive, sepse kjo e funda duhet të përcaktohet nga organet e partive. Unë duhet ta kem edhe pëlqimin e Këshillit të Përgjithshëm të LDK’së për të japur një pajtim të tillë. Ne duhet të kemi garanca që të mos ndodh ajo çfarë ndodhi më 2017’ën, të mos prishet koalicioni pas disa muajsh pas zgjedhjes së presidentit”, ka shtuar kreu i LDK’së.