I pari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se partia që ai udhëheq s’ka diskutuar për përjashtimin e nënkryetares Vjosa Osmani pasi kjo doli kundër në disa nga vendimet e fundit. Ai ka thënë se nuk ka pasur së fundmi kontakte me kryeparlamentaren.
“Ne duhet të respektojmë si LDK institucionet në këtë rast edhe kryetaren e parlamentit. Ne duhet të bashkëpunojmë si institucione, çështjet tjera duhet të mbesin si pjesë e partisë. Zonja Osmani mundet të mbesë nënkryetare e partisë e anëtare e kryesisë, duke i kundërshtuar vendimet është çështje tjetër karshi asaj që ajo e ka pasur dhe e ka votën tonë që të qëndrojë si kryetare e Kuvendit, që të bashkëpunojmë me të, që kryeministri të bashkëpunojë me të, që në asnjë rast kjo të mos ndikojë në jetën parlamentare”, ka thënë Mustafa në KTV.
Mustafa ka deklaruar se në statutin e LDK-së është një dispozitë në të cilën thuhet se anëtarët e LDK-së që bartin pozita nuk mund të kundërshtojnë publikisht vendimet e partisë.
“Nuk është diskutuar në këtë formë. Ka pas vërejtje se si po ndodh te ne në LDK që ne të ndahemi në moment kur po marrim përgjegjësi për vendin. Na ka ndodh më 2014, kur kemi bërë koalicion me PDK-në, një numër i deputetëve s’më votoi. Ishte situatë pak më ndryshe. Dispozita në statut thotë se anëtarët e LDK-së, të cilët bartin pozita në LDK nuk mund të kundërshtojnë publikisht vendimet dhe qëndrimet e LDK-së në organet në të cilat janë. Munden brenda LDK-së të dalin kundër, të bëjnë vërejtje, por në momentin që merret vendimi, një anëtar i kryesisë nuk mund të dalë publikisht e të thotë që mos e përkrahni këtë vendim, në të cilën jam edhe unë. Dispozita është e qartë se nuk mund të jenë pjesë e atij organi nëse publikisht del kundër vendimit. Ne nuk jemi lëshuar gjithmonë në këtë, sepse kemi dashur ta evitojmë marrjen e masave ndaj njerëzve tanë. Por konsideroj se është më shumë çështje e etikës në politikë. Çështjet duhet të mbesin të brendshme. Nuk besoj që ajo është dashur të largohet vetë, por unë më tepër besoj që Osmani është dashur të përkrahë vendimet e shumicës në LDK. Në qoftë se ajo i beson LDK-së nuk ka nevojë të dilet publikisht e të thotë mos i përkrahni vendimet që i ka marr partia ime. Nuk kam pasur komunikim me të kohëve të fundit”, ka thënë ai.
Lidhur me sulmet ndaj babait të Osmanit, Mustafa thotë se ka reaguar personalisht, por edhe si kryetar i partisë se nuk pajtohet me një gjë të tillë. Sipas tij, askush nuk ka informatë që babai i Osmanit nuk është sjellë në mënyrë atdhetare.