Komisioni për Buxhet ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e Amendamentit të Marrëveshjes të lidhur ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj hungareze në lidhje me Programin Kornizë për bashkëpunim financiar, ku vendi mund të marrë kredi deri në 62 milionë euro.
Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se janë bërë disa ndryshime në amandamentin e bashkëpunimit financiar të Qeverisë hungareze dhe asaj kosovare.
“Ka disa ndryshime që janë kërkuar nga ministria hungareze. Dhe po e riprocedojmë edhe njëherë këtë amandament. Të gjithë hapat ligjor janë ndjekë për negocimin e Marrëveshjes. Bëhet fjalë për një kredi të butë që Qeveria Hungareze i ka ofruar Qeverisë së Kosovës. I vetmi ndryshim është që të zgjatet afati i pagimit të kredisë”, është shprehur Murati.
Ai gjithashtu tha se kredia do të shpenzohet për projekte të cilat akoma nuk janë përcaktuar, por që mund të jenë si për impiante të ujit e për infrastrukturë.
“Sa i përket projekteve nuk janë përcaktuar por mbetet të përcaktohen më vone. Ka pas fjalë për projekte për impiante uji e infrastrukture”, shtoi Murati.
Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj ka thënë se kjo marrëveshje ka disa paqartësi.
Ndërsa, komisoni për Buxhet nuk e ka proceduar raportin e Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2020.EO.