Isuf Rexhaj nga Prishtina ka dhjetë vjet që përdorë insulinën për rregullimin e sasisë së sheqerit në gjak. Dozat e nevojshme ai zakonisht i merr në farmacinë e Qendrës së Mjekësisë Familjare e cila furnizohet nga ministria e Shëndetësisë.
Por, janë bërë thuajse tre muaj që furnizimi me insulinë mungon, dhe Isufi si shumë pacientë të tjerë rikthehet në këtë farmaci në pritje të një zgjidhjeje.
“Ama nuk ka kurrfarë shpjegimi se kur do të ketë. Për që ka mungesë po e shoh sepse nuk po ma japin, kur ka pasur ma kanë dhënë, kjo është tragjedi. Ne jemi 80 për qind pensionistë shfrytëzuesit e insulinës, një insulinë kushton mbi 7 euro, mua më duhen 7 copë në muaj e që i bie 50 euro. Nga pensioni im më duhet t’i heq 50 euro për atë”, thotë ai.
Udhëheqësi i barnatores së qendrës kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Fatos Aliu, i tha Zërit të Amerikës se vetëm në kryeqytet janë mbi 2500 pacientë përdorues të llojeve të insulinës që tash për tash mungojnë.
“Bëhet fjalë për insulinën analoge me veprim të mesëm është tash muaji i dytë që nuk kemi furnizim dhe me insulinën analoge me veprim të shpejtë është muaji i tretë që nuk jemi furnizuar. Kërkesa është e madhe nga pacientët mirëpo për momentin nuk kemi furnizim nga ministria e Shëndetësisë”, thotë Aliu.
Një tjetër qytetar, Azem Krasniqi, bashkëshortja e të cilit është përdoruese e rregullt e insulinës, thotë se aktualisht ajo nuk mund të blihet as në farmacitë private.
“Vijmë e kërkojmë por nuk ka. Nëpër barnatore në fillim kemi gjetur por tash nuk ka as në barnatore, po na thonë se duhet të shkojmë diku në Maqedoni apo Shqipëri për ta marrë”, thotë ai.
“Nuk e kemi parë të arsyeshme këto dy vjetët e fundit të mbajmë për shkak se ambulanta i furnizon pacientët me insulinë falas, nuk e kemi parë të arsyeshme që ne të shesim insulinë dhe prandaj nuk i kemi mbajtur. Nuk po e dijmë tash edhe ne a të furnizohemi apo jo sepse është punë e ambulantës dhe ajo nuk po e dijmë se kur e ka në plan të furnizohet”, thotë Elona Koprani – Ahmeti nga barnatorja private “Elina”.
Aliu, magjistër i Farmacisë, thotë se pacientët janë të detyruar të bëjnë zgjidhje kudo që munden sepse mospërdorimi i insulinës mund të ketë pasoja të rënda shëndetësore.
“Me patjetër duhet të përdoret, realisht mospërdorimi i saj mund të shkaktojë shumë probleme deri në humbje të vetëdijes ose edhe hiperglikemi e që mund të sjellë probleme të tjera me spektër shumë të gjerë”, thotë ai.
Besim Kodra nga Shoqata e Pacientëve të Kosovës, tha se është përgjegjësi e shtetit që të sigurojë barnat thelbësore për qytetarët, prandaj shteti duhet edhe t’i kompensojë qytetarët kur dështon ta bëjë një gjë të tillë.
“Në qoftë se kjo nuk ndodhë inkurajoj të gjithë pacientët ta padisin ministrinë e Shëndetësisë e cila është përgjegjëse për t’ua siguruar këto insulinë. E thashë edhe një herë, nuk po ju jep dhuratë, ato i ka paguar qytetari me taksat e veta”, thotë ai.
Në një përgjigje me shkrim ministria e Shëndetësisë i tha Zërit të Amerikës se mungesa e insulinës është pasojë e problemeve me tenderin e fundit, ku ishte shpallur fituesi por pas një ankese Organi Shqyrtues i Prokurimit ishte kërkuar të kthehet në ri-vlerësim.
“Derisa çështja në Organin Shqyrtues të Prokurimit të marrë epilogun e saj, ministria ka filluar procedurat nëpërmjet Projektit të Shëndetësisë në Kosovë nga Banka Botërore, për një proces të përshpejtuar të sigurimit të pesë llojeve të insulinave humane, me synim eliminimin e mungesave aktuale deri në stabilizimin e këtij procesi”, thuhet në përgjigjen më shkrim të ministrisë së shëndetësisë.
Deri në përfundimin e këtyre procedurave, pacientët si Isuf Rexhaj do të detyrohen të kërkojnë rrugë të tjera për të siguruar dozën e domosdoshme të insulinës