Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjuca, në një konferenë për media tha se ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka licencuar laboratore private të cilat nuk figurojnë fare në Agjencionin e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës.
I menjëhershëm ka qenë reagimi nga Ministria e Shëndetësisë, duke thënë se Bordi për Licencim të Institucioneve Shëndetësore Privare i MSh-së ka bërë licencimin e vetëm atyre laboratorëve që kanë plotësuar kriteret.
“Ndërlidhur me deklarimin e deputetit Glauk Konjufca, sot në një konferencë për media, se kinse Ministria e Shëndetësisë ka licencuar për kryerje të testimeve për Covid-19 laboratorë privat të cilët nuk janë as të regjistruara si biznese, Bordi për Licencim të Institucioneve Shëndetësore Private i Ministrisë së Shëndetësisë sqaron se ky bord ka bërë licencimin e vetëm atyre laboratorëve të cilët i kanë plotësuar kriteret”.
Tutje MSh thotë se certifikata e biznesit nuk është kriter i aplikimit për lëshimin e lejes për kryerjen e testeve për COVID-19.
“Sa i përket certifikatës së biznesit, ajo nuk është kriter i aplikimit për lëshimin e lejes për kryerjen e testeve covid-19 , duke qenë se institucionet kanë pasur licenca valide si veprimtari dhe ato e kanë pasur për obligim që certifikatën e biznesit ta dëshmojnë në momentin e aplikimit për licencimit të institucionit si tërësi”.
Në komunikatën e MSh-së thuhet se për informim të drejtë, shërbimi i testimit është një shërbim shtesë në kuadër të institucioneve të licencuara edhe më parë për ushtrim të veprimtarive të ndryshme mjekësore.
“Përndryshe, pa certifikatë të biznesit, ato nuk mund të licencohen për ushtrimin e asnjë veprimtarie shëndetësore”.