Zyrtarja e lartë e Departamentit të Shtetit, Molly Montgomery, u shpreh se SHBA-ja është e përkushtuar për të punuar me Bashkimin Evropian, që po bën të mundur dialogun mes Serbisë dhe Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.
Këto komente nga Montgomery vijnë pas rezultatit të zgjedhjeve të 14 shkurtit ku fituese doli Lëvizja Vetëvendosje në krye me Albin Kurtin.
Kur u pyet për mundësinë e një dialogu të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, Montgomery tha se do të vazhdojë mbështetja për dialogun Kosovë–Serbi.
“Ne vazhdojmë të mbështesim dialogun Beograd-Prishtinë të mundësuar nga Bashkimi Evropian, dhe presim me padurim një marrëveshje gjithëpërfshirëse, një marrëveshje normalizimi që do të çonte në një njohje të ndërsjellë, ose në bazë të njohjes reciproke”, tha ajo për Zërin e Amerikës.
“Jemi të përkushtuar për të punuar me BE-në që po mundëson dialogun, dhe me partnerët tanë së bashku. Është një parim shumë i rëndësishëm për angazhimin tonë në Ballkanin Perëndimor. E dimë që kemi qenë më të suksesshëm atje kur bashkëpunimi ka qenë i ngushtë me aleatët dhe partnerët tanë evropianë, pra kjo do të jetë qasja jonë”, tha ndër të tjera ajo.