Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, i është drejtuar me një letër të hapur kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikut.
Përmes kësaj letre, Molliqaj i kërkon Abdixhikut që LDK të mos e votojë Vjosa Osmanin për presidente, për shkak se sipas tij, zgjedhja e saj prodhon pasoja mbi jetën demokratike të Kosovës.
“Ne jemi të shqetësuar për pasojat mbi jetën demokratike të vendit që do të prodhonte zgjedhja e Vjosa Osmanit Presidente. Pas këtij momenti, opozitës parlamentare do t’i humbas rëndësia, kurse Kuvendi do t’i ngjajë kuvendeve moniste“, ka shkruar ndër të tjera ai.
“Kosova për herë të parë pas luftës rrezikon që të gjitha instancat e pushtetit t’i përfundojnë në një adresë. Por ky ende nuk është problemi kryesor. Ky akumulim pushteti e ka mbrapa një ideologji që në fjalë dhe organizim është totalitar.”
Organizimin totalitar që sipas tij do ta krijojë zgjedhja e Osmanit në pozitën e presidentes, Molliqaj thotë se mund ta ndalojë LDK.
“LDK e ka në dorë ta ndalojë këtë gjë. Barra për formimin e institucioneve në secilën demokraci fillon prej fituesit, sidomos kur fituesi e ka shumicën i vetëm”, thuhet tutje në letrën e tij.