Edhe pas dy javësh, ende nuk është dorëzuar autopsia e vajzës 7-vjeçare e cila vdiq në mëngjesin e 3 gushtit në ordinancën “Poliklinika CT Scanner” në Prishtinë. Në pritje të raportit të autopsisë janë edhe Inspektorati Shëndetësor në mënyrë që të kryhen të gjitha hetimet për vdekjen e dyshimtë të vajzës.
Autopsia e vajzës edhe pse e përfunduar, ende nuk është dorëzuar meqë duhet edhe disa analiza të nevojshëm në mënyrë që të përfundojë i tërë procesi.
E kjo ka ngecur meqë, mjeku i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Valon Hyseni i cili do të merrej me rastin ka rezultuar pozitiv me COVID-19.
Doktori Valon Hyseni ka treguar se ende nuk është dorëzuar autopsi meqë duhet të bëhen edhe disa analiza të nevojshme.
“Unë jam me COVID dhe jam i izoluar dhe deri javën e ardhshme nuk do të dalë në punë. Ka përfunduar autopsia, por atë ditë kam rezultuar pozitiv. Autopsia ka përfunduar por tani jemi në cikël të analizave. Ende nuk e kemi dorëzuar në Inspektoratin Shëndetësor sepse ende nuk janë kryer gjitha analizat e nevojshme, posa të përfundojmë do ta dorëzojmë”, tregoi ai.
Ndërsa, nga Inspektorati Shëndetësor përmes përgjigjeve elektronike kanë thënë se i kanë kryer inspektimet por që janë duke grumbulluar ende deklarata dhe së shpejti do të jetë gati raporti përfundimtar i të gjeturave të Inspektoratit.
“Inspektorati Shëndetësor ka kryer inspektimin, janë duke u grumbulluar deklaratat e gjithë stafit te institucionit në fjalë. Së shpejti do të jetë gati edhe raporti përfundimtar me të gjeturat nga inspektimi”, thuhet në përgjigjen e Inspektoratit Shëndetësor.
Po ashtu Inspektorati kanë thënë se janë në pritje të raportit të autopsisë.
Ditën kur 7-vjeçarja ndërroi jetë pasi kishte bërë fotografimin e kokës në ordinancën private, KosovaPress kishte kontaktuar me axhën e së ndjerës.
T.H pati hedh dyshime se mbesa e tyre ka ndërruar jetë nga mbi doza e anestezionit.
“Vajzën e kanë dërguar prindërit e saj sot në një ordinancë private ne lagjen ‘Ulpiana’ për të bërë rezonancë magnetike. Ne dyshojmë se ka vdekur si pasojë e mbi dozës së anestezionit. I kanë dhënë fillimisht por gjatë kohës ka qenë duke e bërë rezonancën, ajo është zgjuar dhe pastaj i kanë dhënë mbi dozë. Është dërguar në Klinikën Emergjente, dhe për tri orë është provuar që të kthehet në jetë, po pa sukses”.
Ndërsa Policia e Kosovës kishte hapur rast si vdekje e dyshimtë.
Ndërkaq, mjeku i kësaj klinike Arben Kutllovci kishte shprehur keqardhje për këtë rast derisa kishte thënë se familjarët kishin kërkuar që rezonanca magnetike të bëhet me anestezion.