Kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu ka thënë në emisionin “Frontal”, në T7 se asgjë nuk e arsyeton sjelljen e mjekut Ibrahim Hoti, e ku mbrëmë refuzoi që t’i jap ndihmën një pacienti të moshuar në QKMF-në në Podujevë.
“Neve na ka ardh keq një sjelle të tillë, pa e gjykuar dhe pa e parë se çfarë ka ndodhur, kemi qenë shumë të prerë për arrestimin dhe mënyrën se si është bërë. Është shumë e qartë se ky rast nuk ishte për arrestim. Nuk po them për hetim. Por arrestimi i një mjeku 64-vjeçar në orët e vona të mbrëmjes është e papranueshme”, ka thënë Sejdiu.
Më tutje Sejdiu foli edhe për dënimin që ka marr kryesindikalisti që sot organizoi protestën për mbrojtjen e mjekut të arrestuar.
Ai tha se një zyrtarë policor ua ka ofruar 50 euro si ndihmë për ta paguar dënimin prej 200 euro.
“50 euro një oficer i policisë ua ka dhënë borxh sindikalistëve për me e pagu dënimin. Kjo është e turpshme. Ata s’kan dal prej qejfit e me ba zijafet. Ne nuk e amnistojmë as këtë mjek e as të tjerët në këto raste”, ka thënë ai.
Në ndërkohë duke folur për shkaqet që kanë mundur të sjellin deri tek sjellja e mjekut me pacientët në atë mënyrë, Sejdiu tha se vetëm dje i njëjti i ka kontrolluar 47 pacientë.
“Ne sot kemi qenë në kontakt me dy delegatë dhe se nuk e kanë të qartë se çfarë ka ndodhur. Kërkova nga ta disa sqarime se sa ka qenë i ngarkuar ai. Për sjelljet asnjë koment dhe nuk është diskutuar në të vërtetë. Mjeku ditën e djeshme i ka kontrolluar 47 pacientë. Gjatë një muaji i ka trajtuar mbi 2200 pacientë. Është i vetmi pulmulog në Llap”, ka deklaruar Sejdiu.