Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, duke komentuar takimin që ka pasur dje me presidenten e vendit, Vjosa Osmanin, ka thënë që Kosova po bën mjaft përpjekje për sigurimin e vaksinave për qytetarët.
“Me Osmanin biseduam për dy tema kryesore siç është situata me pandeminë në Kosovë, masat që po ndërmerr Qeveria dhe Osmani tregoi përkushtimin e saj për këtë çështje thelbësore dhe kritike, për të kapërcyer këtë situatë që ndodhet vendi. Pika e dytë, ishte se si mund të përafrohen më tepër marrëdhëniet me Shqipërinë në të gjitha fushat”.
Minxhozi theksoi që është me rëndësi të frenohet pandemia, edhe Kosova të ketë një stabilitet shëndetësor.
“E gjithë bota është në këtë kaos dhe përpjekje për të siguruar sa më tepër vaksina dhe nuk kemi një vend që të themi që e ka zgjidhur këtë problem. Shqipëria ka bërë një hap përpara në këtë drejtim. Ka siguruar një sasi të madhe relativisht, rreth 250 mijë vaksina”.
“Kosova është më prapa me këtë proces. Transferimi i pushteteve nga një qeveri në tjetrën, ose brenda një viti kemi pasë 3 zgjedhje le një vakum për të mos u marrë me këtë problem”.
“Por, me hapat e fundit që po ndërmerr qeveria edhe në Kosovë ky problem do të kapërcehet pak me vonesë, por e rëndësishme është që të ruhet jeta e njerëzve”, u shpreh ai.
Minxhozi ka thënë që roli i një ambasadori është mjaft i vështirë për t’u përshtatur dhe reaguar në rrethana të ndryshme.
“Sa është e vështirë aq edhe e lehtë, është diçka e balancuar. Është e lehtë pasi njeh mentalitetin dhe nuk është puna e gjuhës, jemi një pavarësisht se jemi dy shtete, por kemi një mendësi një kulturë dhe shumë të përbashkëta”.
“Është e vështirë, pasi shpesh herë mund të krijohen problematika midis nesh dhe roli i një ambasadori është shumë i vështirë për t’u përshtatur dhe reaguar. Shpesh njerëzit kërkojnë zgjidhje: “Por ju si mendoni si ambasador” por është një pyetje që nuk merr përgjigje”.
“Ambasadori është një figurë neutrale dhe mundohet të afrojë sa më tepër njerëzit midis vete dhe të fasilitojë të gjitha proceset që ndodhin, por ajo që është me rëndësi në punën time është se unë mundohem të fokusohem në problemet që kanë të bëjë me zhvillimin dhe me ecjen përpara, sidomos në disa fusha me interes siç është ekonomia, pikërisht në të cilën e bazoj punën time kryesore”, u shpreh Minxhozi.