Pesëdhjetë përfituesit më të mëdhenj nga Programi i Rimëkëmbjes Ekonomike i Qeverisë Hoti, janë bërë publikë papritmas dje nga ministri Hekuran Murati. Posimi i Muratit i vuri flakë reagimeve. Pati kritika për kompanitë, që kryesonin listën e përfituesve. Ndihma bizneseve u janë dhënë edhe gjatë Qeverisë Kurti I. Por Ministria e Financave listën e përfituesve të Kurtit I nuk po e ofron.
Një listë me emrat e disa bizneseve u publikua dje gjatë ditës nga Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.
Në këtë listë figuronin emrat e 50 bizneseve që kanë përfituar më së shumti para nga Programi i Rimëkëmbjes Ekonomike, që ishte aplikuar gjatë kohës sa me Qeverinë e Kosovës udhëhiqte Avdullah Hoti i LDK-së.
Publikimi i i kësaj liste, Murati tha se është bërë në emër të transparencës dhe se ky ka qenë kriter i marrëveshjes ndërkombëtare mes Kosovës dhe të Bashkimit Evropian, që është nënshkruar dhe ratifikuar në Kuvend.
Por, kaq transparent, Murati nuk është treguar edhe për publikimin e listës së përfituesve të Pakos Fiskale Emergjente e marsit të vitit 2020, që ishte zbatuar gjatë Qeverisë Kurti.
Ministria që udhëhiqet nga Murati, listën me emrat e bizneseve dhe shumat e parave që bizneset kanë marrë nga ajo pako, nuk e ka ofruar.
Nga MFPT-ja kanë thënë vetëm se janë duke punuar në krijimin e një vegle për publikimin e shpenzimeve nga Thesari i Kosovës, e që sipas tyre ka për qëllim rritjen e transparencës.
“Sic është shprehur edhe Ambasadori i Bashkimit Evropian Z. Szunyog, publikimi i listës së 50 përfituesve më të medhenjë të Planit të Rimëkëmbjes Ekonomike ka qenë kriter i marrëveshjes ndërkombetare financiare në mes Kosovës dhe BE-së, që është nënshkruar dhe ratifikuar në Kuvendin e Kosovës (Macro Financial Assistance Loan Agreement of 100 mil. EUR).
Gjithashtu, vlen të theksohet së jemi duke punuar në krijimin e një vegle për publikimin e shpenzimeve nga Thesari i Kosovës, e cila ka për qëllim rritjen e transparencës”, kanë deklaruar nga kjo ministri për express.
Publikimin e kësaj liste e ka përkrahu edhe Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog.
“Unë mbështes vendimin e Hekuran Muratit për të publikuar listën e 50 përfituesve më të mëdhenj nga fondet publike të Kosovës. Një hap pozitiv drejt transparencës dhe llogaridhënies. Ky është një kusht për të cilin BE-ja ra dakord me Kosovën kur u nënshkrua marrëveshja e huasë për ndihmë makro financiare prej 100 milion euro”, ka shkruar ai.
Tutje, shefi i zyrës së BE-së ka thënë se masat mbështetëse për bizneset duhet të jenë të gjitha transparente.
Por, publikimin e kësaj liste nuk e ka përkrahur ish-Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, e cila e ka vlerësuar se publikimi i saj është kërcënim për sektorin privat.
Sipas saj, shpërndarja e 60 milionë eurove vitin e kaluar, ka qenë masa më transparente, më efikase dhe e cila e ka ndihmuar shumë sektorin privat.
Bajrami ka thënë se ndarja e këtyre mjeteve është bërë me kriterin për kokë të punëtorit, derisa ka treguar edhe numrin e punëtorëve dhe bizneseve që kanë përfituar.
“Minister, 60 milion euro janë ndarë për bizneset private, me kriterin për kokë të punëtorit. Nga kjo masë kanë përfitu 206,852 punëtorë dhe 36,679 biznese. Në vitin 2021 kemi ndarë edhe 6.4 milion euro të tjera për 22,222 mijë të vetëpunësuar”, ka shkruar Bajrami.
Ajo ka kërkuar nga Murati që ta publikojë edhe tabelën ku tregohet se sa kontribuojnë këto biznese në buxhetin e shtetit, dhe që ta publikojë edhe top 50 përfituesit e masave të Pakos Fiskale Emergjente të Qeverisë Kurti 1.
“Edhe një gjë nëse dëshiron me qënë transparent publikoj edhe 50 top përfituesit e masave të Pakos Fiskale Emergjente të qeverisë KURTI I”, thuhet në postimin e Bajramit.