Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj gjatë ditës së sotme është takuar me Bordin Këshillëdhënës për Luftën Kundër COVID-19, udhëhequr nga Lul Raka.
Zemaj, ka bërë të ditur se në këtë takim është analizuar gjendja e krijuar me pandemi, ndërsa u prezantuan edhe fakte shkencore se si të reagohet ne javët në vazhdim për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes më të madhe të këtij virusi.
”Në takimin me anëtarët e Bordit Këshillëdhënës për Luftën Kundër COVID-19, me prof. Dr. Lul Rakën kryesues, analizuam gjendjen e krijuar nga pandemia, u prezantuan faktet shkencore, opinionet dhe propozimet se si të reagohet në javët në vijim për të menaxhuar dhe parandaluar përhapjen e virusit. Sikurse biseduam për realizimin e këshillave të dhëna nga ky bord.
Jemi në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, andaj të gjitha vendimet tona do të jenë të bazuara sipas këshillave të profesionistëve.
Në takim folëm hollësisht për sfidat me të cilat po përballemi, shtrirjen komunitare të COVID-19, numrin e të infektuarve, mbingarkesat spitalore dhe të personelit shëndetësor, infeksionet brenda spitalore dhe brenda koorporatave e agjensionëve të ndryshme, presionet nga sektori i ekonomisë, etj.
Bordi ofroi disa rekomandime të masave dhe politikave për adresimin dhe zvogëlimin e pasojave afatmesme dhe afatgjata të COVID-19”, thuhet në postimin e Ministrit Zemaj.