Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviq ka deklaruar se Qeveria e Kosovës nuk është duke i përmbushur detyrimet e saj të cilat janë të nënshkruara në Bruksel që kanë të bëjnë me themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe.
Këto komente ai ka bërë pas takimit që pati me Zv/ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit, Matthew Palmer.
Ai ka thënë se kryeminsitri i Kosovës nuk është duke kontribuar për krijimin e një atmosfere të favorshme për dialog. “Ne e konsiderojmë të papranueshme që Prishtina të shmang përmbushjen e detyrimeve të saj, veçanërisht formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, duke këmbëngulur vetëm në njohjen reciproke“, theksoi Selakoviq.
Gjithashtu, ai tha se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike nga Washingtoni është një hap drejt normalizimit të marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës.
Ai shprehu shqetësim në lidhje me siç i quajti ai “sulmet e shpeshta fizike në objektet e Kishës Ortodokse Serbe në periudhën e kaluar dhe vuri në dukje se Manastiri i Deçanit u përfshi kohët e fundit nga organizata “Europa Nostra” në listën e shtatë monumenteve më të rrezikuara të kulturës në Evropë.“