Ministri gjerman i ekonomisë, Peter Altmaier, ka mbetur pa vetëdije pasi u rrëzua nga skena e një konference. Raportohet se ai e ka thyer hundën dhe i ka pësuar disa prerje dhe ndrydhje në trup.
Ministri 61 vjeç u rrëzua përderisa po largohej nga podiumi pasi e mbajti një fjalim në një konferencë për strategjinë digjitale të Gjermanisë në qytetin e Dortmundit.
Një mjek që gjendej në audiencë vrapoi për t’i ofruar ndihmë ministrit të rrëzuar, i cili më pas u dërgua në spital.
“Ministri Altmaier u rrëzua në shkallë kur po largohej nga podiumi gjatë samitit digjital”, thuhet në deklaratën e publikuar nga Ministria e Ekonomisë.
U raportua se ai nuk do të jetë në gjendje të marrë pjesë në takimin e kabinetit federal në Berlin, i cili mbahet të mërkurën.
Ai është aleat i kancelares Angela Merkel dhe së fundi është angazhuar për forcimin e nismave gjermano-frënge për t’iu kundërpërgjigjur konkurrencës digjitale të Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, shkruan “Reuters”