Me shumë bujë ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e cila udhëhiqet nga Liburn Aliu, javë më parë ka anuluar tenderin për mirëmbajtjen verore dhe dimërore të rrugëve nacionale dhe rajonale të Kosovës për vitet 2021, 2022, 2023 dhe 2024.
Tenderi që u anulua me 15 prill 2021, për të cilin Ministri Aliu dhe zëvendësi i tij Hysen Durmishi dolën edhe në një konferencë për media disa ditë pasi ishte anuluar, doli se ishte prokuroruar nga Nexhat Krasniqi, i njohur si ‘Baba i Tenderëve’, ndërkohë që që dyshohet se i njëjti e mban jashtëligjshëm pozitën e shefit të Prokurorimit në ministrinë që udhëhiqet nga Liburn Aliu.
Por vetëm disa javë pas, i njëjti tender do të rihapet sot në ora 14:30, merr vesh Reporteri.net.
Madje, edhe këtë herë tenderi do të kalojë nëpër duart e ‘Babës së Tenderëve’, Nexhat Krasniqit, si shef i Prokurorirmit në Ministrinë e Infrastrukturës, ndonëse me vendim të plotfuqishëm të një gjykatës prej vitesh i është ndërprerë marrëdhënia e punës.
Mbajtja në pozitë kundërligjshëm e Krasniqit në Ministri të Infrastrukturës edhe nga Liburn Aliu i VV-së është kritikuar ashpër javën që shkoi në Kuvend nga kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Kjo pasi VV-ja disa herë sa ishte në opozitë e kishte përshkuar Krasniqin si të korruptuar e të fuqishëm.
Haradinaj i kujtoi Qeverisi Kurti se si dikur Nexhat Krasniqin edhe partia e tyre e konsideronin si ‘baba i tenderëve’ e ‘kuopla e krimit’, por se tash tash vazhdon të jetë duke punuar në Ministrinë e Liburn Aliut.
“Qeveria Kurti e ka nisur bukur keq me çështjen e korrupsionit… Xhelal Sveçla bashkë me zonjën Haxhiu dhe zotin Aliu, më kanë marrë në pyetje për personin e quajtur Nexhat Krasniqi, i cili sipas tyre është baba i tenderëve, është kupola e krimit dhe është dikush që nuk bën me punu me të se është i dënum prej gjykatave e ku ta di unë”, ka thënë Haradinaj javën që shkoi në Kuvend.
“Rezultat i kësaj ndërhyrje të deputetëve ka ardhë edhe deri tek shkarkimi i tij me sa marr vesh unë zoti Nexhat Krasniqi me gjase u la, tash nuk është më ai baba i krimit, u bo i mirë, është në punë te ministri Liburn Aliu edhe i kryen funksionet e veta. Një njeri që një Kosovë ka dëgju për të, u kanë temë, disa herë kom dhanë sqarime për të, tash në Qeverinë Kurti ëhstë rahat. Noshta ai u bo i mirë ose këta kanë ndryshu nuk e di cka ka ndodhë në ndërkohë.”, shtoi Haradinaj.