Për herë të parë, Dastid Pallaska kishte tërhequr paralele ndërmjet idesë së Mini-Shengenit me marrëveshjes Jugosllavi-Shqipëri që kishte ndodhur pas Luftës së Dytë Botërore. Madje, Shqipëria në atë kohë konstruktohej si Republika e Shtatë e Jugosllavisë.
“Edhe në atë kohë të dy palët e kanë konsideruar Kosovën si krahinë, e cila mund të jetë objekt i diskutimeve e asnjëherë subjekt”, ka thënë Pallaska.
“Pas luftës së dytë botëre, Shqipëria kishte pasur përkrahje nga Jugosllavia. Në atë kohë Shqipëria dhe Jugosllavia kishin nënshkruar një sër marrëveshjes që i kishin paraprirë shkrirjes së Shqipërisë në kaudër të Jugosllavisë”, kishte shpjeguar Pallaska në Pressing.
Pallaska ka thënë se baza e marrëveshjes së Minishengenit është te Traktati i nënshkruar ndërmjet Shqipërisë e Jugosllavisë më 27 nëntor 1946 ku ishin paraparë aranzhmanet ekonomike e tregtare dhe të lëvizjes së lirë.
Ndërkohë, Kryetari i Shoqatës së Biznesit në Kukës, Sokol Kolgjini, ka shkuar edhe më tej në shpjegimin e kësaj marrëveshje. Ka thënë se pika e parë e asaj marrëveshje ndërmjet Jugosllavisë së Titos dhe Shqipërisë së Enver Hoxhës ishte bashkimi doganor. Pastaj, barazimi i lekut me dinarë.
“Krijimi i shoqërive të përbashkëta për shfrytëzimin e mineraleve, ujërave shqiptare. Shfrytëzimi i gjithçkaje shqiptare”, ka shpjeguar Kolgjini.
Sipas tij, efekti ishte negativ në aspektin ekonomik dhe kombëtar. Ishte zhvleftësuar për disa herë leku për 12 herë. Dhe, në atë kohë, tregu shqiptar ishte blerë nga jugosllavët.
“Në çdo zyrë në institucionet shqiptare ishte një përfaqësues jugosllav”, ka deklaruar ai.
Kolgjini ka treguar se ajo marrëveshje kishte rrënuar edhe idenë për t’u marrë me problemin e shqiptarëve të Kosovës.
Ideja e Minishengenit ballkanik ndërmjet vendeve të Ballkanit ka nisur në Samitin e Novi Pazarit ku nuk kishte marrë pjesë Kosova. Pastaj, kjo ide ka shkuar tutje në Ohër të Maqedonisë, ku Edi Rama kishte lëshuar akuza në drejtim të Kosovës për vetëpërjashtim. Madje, Rama akuzoi liderët kosovarë se po refuzojnë të bëhen pjesë e nismave rajonale që shkojnë në favor të Ballkanit.
Në Kosovë e kanë akuzuar Ramën se po tenton të ringjallë Jugosllavinë e re. Madje, Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi kanë thënë se një ide e tillë ka vdekur.
Albin Kurti kishte thënë se Edi Rama është ngutur kur ka pranuar të marrë pjesë në këto Samite pa Kosovën dhe pa u themeluar institucionet e reja të dala nga zgjedhjet e 6 tetorit.