Minatorët e kombinatit “Trepça” kanë ndërprerë grevën, e cila erdhi si kundërshtim ndaj pagave dhe kushteve të punës.
Këtë e ka konfirmuar kryesuesi i Bordit të “Trepçës”, Ardian Syla, i cili ndër tjerash ka njoftuar se pagat për muajin tetor do të ekzekutohen shumë shpejtë.
“Ndërmarrja Trepça është ndërmarrje prodhuese, prandaj edhe gjithë funksionimi i saj varet nga nxjerrja, përpunimi dhe prodhimi i koncentratit.
Pagat për muajin tetor si dhe pjesa e mbetur e dy muajve paraprak do të ekzekutohen shumë shpejtë, pas liferimit të sasisë së grumbulluar së koncentratit të plumbit dhe zinkut. Rregullimi i cilësisë së ushqimit si dhe kushtet tjera të punës për punëtorët në minierë janë në përfundim e sipër.”, ka shkruar Syla në Facebook.
Sipas tij, tremujori i fundit ka qenë shpresëdhënës duke treguar trend të rritjes së prodhimit prandaj Trepçës i është kthyer shpresa sado e vogël për një stabilitet financiar.
“Prandaj, çdo grevë eventuale vetëm se do të pengonte zhvillimin e mëtutjeshëm të ndërmarrjes. Falenderojmë gjithë punëtorë e Trepçës për mirëkuptimin e tyre si dhe kontributin e dhënë ndër vite në zhvillimin e ndërmarrjes Trepça.”, ka përmbyllur postimin Syla.
Minatorët e “Trepçës” kanë hyrë në grevë dje. Hyrja në grevë ka ardhur si pasojë e mosmarrjes së pagës së tetorit dhe kushteve jo të mira të punës.
Minatorë të kombinatit metalurgjik “Trepça” thonë se kjo ndërmarrje është duke kaluar në një fazë të vështirë financiare, edhe si shkak i mosmenaxhimit të duhur.
Trepça është shoqëri aksionare ku 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës, kurse 20 për qind janë aksione të punonjësve të kësaj ndërmarrjeje. Trepça ishte në mesin e ndërmarrjeve më të mëdha në ish-Jugosllavi. Por, që nga paslufta është përballur me probleme të shumta sa që asnjëherë nuk arriti të rimëkëmbet.