Presidenti i Republikës, Ilir Meta thotë se është i bindur se më 25 prill e gjithë Shqipëria do t’i thotë PO së ardhmes evropiane të vendit.
Kreu i Shtetit tha se deklarata për “prerjen e dorës kush prek votën” nuk është metaforike”.
“Të rinjtë në votime, të zgjedhin kandidatët që do mbrojnë interesin e tyre dhe të familjes. Qytetarët të zgjedhin kandidatin që, do mbrojë të ardhmen e vendit.
Po, unë po bëj fushatë për demokracinë, po bëj fushatë për të mbrojtur Kushtetutën, për të ndërgjegjësuar qytetarët të marrin pjesë masivisht në zgjedhje për të hapur një rrugë të re për të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Çdo qytetari i bëj thirrje të rinovoj kartën e identitetit ashtu siç bëri Presidenti.
Jam i bindur se më 25 prill e gjithë Shqipëria do t’i thotë PO së ardhmes evropiane të vendit. Kush do gabojë dhe do t’i dalë para këtij vullneti atëherë duhet ta mendojë mirë për pasojat që do të ketë.
Erdhi koha që shqiptarët të ndahet nga ky regjim “fake”. Vota e lirë do ta nxjerrë Shqipërinë nga ky “intubim” i lirive dhe do t’i japë frymëmarrjen e munguar. Shqipëria duhet të dale nga thonjte e oligarkëve. Shqiptarët duhet të marrin në dorë fatet e tyre dhe të së ardhmes së vendit
Mos e mendoni dhe aq metaforike paralajmërimin tim për prerjen e dorës të kujto që prek votën e shqiptarëve. Ky paralajmërim duhet marrë seriozisht dhe nuk është shaka. Kush do tentojë të prishë festën e shqiptarëve më 25 prill, ta dijë mirë se do të bëhet kurbani i festës”, deklaroi Meta.