Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, ka uruar Edi Ramën, si fitues të zgjedhjeve në Shqipëri.
Kurti ka shkruar se Kosova nuk mundet pa Shqipërinë e Shqipëria nuk mundet pa Kosovën, mirëpo ndër të tjerash ka kërkuar nga homologu i tij të sqarojë çdo paqartësi në lidhje me procesin zgjedhor.
“Njëkohësisht uroj që institucionet në Shqipëri të sqarojnë çdo paqartësi në lidhje me procesin zgjedhor që askujt të mos i preket e drejta e votës, mbi të cilën themelohet demokracia përfaqësuese.
Këto janë pritshmëritë e shqiptarëve, andaj, të punojmë së bashku”, ka shkruar Kurti ndër të tjerash.
Ky është shkrimi i tij i plotë:
Sipas rezultateve paraprake të shpallura nga KQZ në Republikën e Shqipërisë, Partia Socialiste dhe kryeministri Edi Rama ka fituar zgjedhjet parlamentare. Kosova nuk mundet pa Shqipërinë e Shqipëria nuk mundet pa Kosovën, prandaj e përgëzoj kryeministrin e Shqipërisë Edi Ramën për rezultatet, dhe uroj që së bashku, si shqiptarë, të shtojmë bashkëveprimin mes nesh në të gjithë sektorët, si dhe t’i afrojmë standardet evropiane sa i përket demokracisë, zhvillimit ekonomik, drejtësisë e mirëqenies.
Njëkohësisht uroj që institucionet në Shqipëri të sqarojnë çdo paqartësi në lidhje me procesin zgjedhor që askujt të mos i preket e drejta e votës, mbi të cilën themelohet demokracia përfaqësuese.
Këto janë pritshmëritë e shqiptarëve, andaj, të punojmë së bashku