Ministria e Shëndetësisë i ka kthyer mbrapshtë listat e përgatitura nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar për punëtorët shëndetësorë, përfitues të 300 eurove shtesë gjatë pandemisë. MSH është arsyetuar se këto lista nuk janë në përputhje me vendimin e Qeverisë dhe ka kërkuar nga SHSKUK që t’i rishikojë listat dhe të kategorizohen vetëm ata punëtorë shëndetësorë që kanë punuar direkt me Covid-19. Por të pakënaqur me këtë vendim të Ministrisë së Shëndetësisë janë mjekët kosovarë.
Në Klinikën e cila është më së shumti e populluar me pacientë, qoftë të prekur nga Covid 19 apo edhe të tjerë, Klinikën Emergjente, po deklarojnë se janë të zhgënjyer me vendimin e institucioneve kosovare për mos ‘ndarjen e 300 eurove shtesë si ndihmë financiare për ta. Ani se këta mjekë ka ditë që punojnë edhe nga 12 orë.
Avdush Bajgora, shef ndërrimit në Qendrën Emergjente, i cili është mjek që 31 vjet, deklaron se në Emergjencën e QKUK’së për çdo ditë shërbime mjekësore kërkojnë 200 deri në 250 qytetarë. Thotë se për dallim të viteteve të kaluara, këtë vit është rritur fluksi i qytetarëve që po kërkojnë ndihmë.
“Në Klinikën Emergjente na vijnë raste të pakonfirmuara. Shembull, dikush mundet me qenë i infektuar me Covid 19, bën aksident dhe pastaj vjen tek ne. Mund të ketë ftohje të mushkërive-pneumoni dhe të futet në dhomën e internos. Ata mund të sjellin në isuficencë të respiratorit që ne duhet ta inftubojmë. Ne e intubojmë, ia ruajmë rrugët e frymëmarrjes, trurin dhe e mbajmë në jetë. Kësisoj gjatë intubikmit ne mund të infektohemi”, tregon mjeku Avdush Bajgora për vështirësitë në punë.
Ai thotë se me rrezikun e infeksionit me koronavirus ballafaqohen për çdo minutë të punës së tyre. Thotë se është në moshë e ka shumë sëmundje tjera shoqëruese. Por, prap vazhdon të jetë në frondin e parë në ndihmë të pacientëve.
Ani se, doktori Avdush Bajgora shprehet se nuk i kanë as mjetet mbrojtëse adekuate në Emergjencë për t’a kryer punën e tyre.
“Shoku im të enjten vdiq nga Covidi, 9 mjekë kanë vdekur. Ne të gjithë kemi probleme, e kemi moshën, diabet, hipertension. Jam shumë i rrezikun dhe punoj në dhomën me Covid. Në Infektivë i kanë masat më mbrojtëse. Neve na i japin pelerinat. Ne i kemi veshjet, por jo ato që duhet me i pas.”, shpjegon ai.
Por krahas shumë sfidave që i kanë në vendin e tyre të punës, Bajgora thotë se janë ndjerë të zhgënjyer nga vendimi i Qeverisë së Kosovës, rrjedhimisht të Ministrisë së Shëndetësisë, për mos-ndarjen e 300 eurove shtesë gjatë pandemisë.
“Numri i pacientëve në Emergjencë është rritë shumë. Prej 200 në 240. Edhe qato ndihma na i kanë ndal këtë muaj. Kanë ba shumë keq. Muajin tjetër nuk dihet nëse na i japin apo jo”, thotë Bajgora.
E nga Ministria e Shëndetësisë për këtë mos-ndarje të 300 eurove janë arsyetuar se këto lista nuk janë në përputhje me vendimin e Qeverisë dhe ka kërkuar nga SHSKUK që t’i rishikojë listat dhe të kategorizohen vetëm ata punëtorë shëndetësorë që kanë punuar direkt me Covid-19
“Ministria e Shëndetësisë dëshiron të njoftoje se arsyeja e mos pagesës deri më tani e shtesës prej 300 eurove për kategoritë sipas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës nr. 05/18 të datës 29.07. 2020 për punonjësit e SHSKUK-së është se listat e ardhura në MSh nga SHSKUK kanë pasur mospërputhshmëri me kriteret e vendimit të Qeverisë dhe udhëzimet e saj”, thuhet nga Ministria e Shëndetësisë.
Ministria ka deklaruar se në bazë të vendimit, organizatat buxhetore (të listuara më lart) janë përgjegjëse të përgatisin dhe aprovojnë me shkresë përmes Zyrtarit Kryesor Administrativ dhe Zyrtarit Kryesor Financiar të organizatës listat e personelit të tyre shëndetësor dhe të njëjtat t’i përcillen Ministrisë së Shëndetësisë, e cila pasi të konstatojë përputhshmërinë me kriteret e vendimit dhe udhëzimet e saj, i dërgon ato lista në Thesarin e Kosovës (Ministri të Financave) për procesim sipas Sistemit të Pagave, përkatësisht për pagesë retroaktive për dy muaj së bashku me pagën mujore të muajit gusht.
Kujtojmë se sindikatat e punëtorëve shëndetësorë kanë kërkuar që në këtë pako të përfshihen të gjithë punëtorët shëndetësorë në Kosovë.