Sot në mëngjes janë përfshirë nga zjarri dy zyre në objektin e Institutit të Mjekësisë Ligjore në QKUK.
Zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti, më herët ka thënë për Express se zjarri është lokalizuar nga zjarrfikësit, teksa nuk raportohet për persona të lënduar.
Ndërkaq, me reagim ka dalë edhe Ministria e Drejtësisë, e cila tha se në vend të ngjarjes është duke qëndruar zëvendësministri Blerim Sallahu.
“Sot rreth orës 08:00 në hapësirat e IML-së ka filluar një zjarr që ka përfshirë disa nga zyrat e katit të dytë të objektit. Zjarri është lokalizuar dhe për momentin nuk dihen shkaqet. Menjëherë pas pranimit të informacionit, ekipet e zjarrfikësve dhe policisë kanë shkuar në vend të ngjarjes. Zëvendësministri Sallahu është duke qëndruar po ashtu atje, për të kuptuar më shumë rreth situatës së krijuar”, tha Ministria në njoftim.
Po ashtu, MD shtoi se “për zhvillimet e mëtutjshme do të informoheni me kohë”.
Aktualisht policia ka nisur ndërmarrjen e veprimeve hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen./Express/