Me qindra qytetarë të komunës së Deçanit, që nga e shtuna kanë kërkuar ndihmë mjekësore në QKMF-në “Adem Ukëhaxhaj” në këtë komunë, pasiqë po dyshohet se janë helmuar nga uji i pijes.
Kryetari i kësaj komune, Bashkim Ramosaj, në një konferencë për media ka bërë të ditur se 884 qytetarë që nga e shtuna e deri më sot kanë kërkuar ndihmë në QKMF dhe që kanë qenë me simptoma të njëjta.
Ai ka shtuar se vetëm ditën e shtunë ndihmë mjekësore kanë kërkuar 164 pacientë, kurse ditën e diele numri i pacientëve është rritur.
Krytari Ramosaj u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos e përdorin ujin.
Ndërkaq, ai ka ftuar prokurorinë, hetuesit, policinë e shtetit, IKSHPK-në, kompaninë “Hidrodrini” që të kryhet një ekspertizë e saktë e ujit.
“Rezultatet kanë dalë që kimikisht nuk ka probleme me ujë të pijes dhe se është i përdorshëm, por po i presim analizat biologjike që do të na jepin një rezultat më të saktë”, ka thënë Ramosaj.
Ai ka shtuar se nëse vërtetohet që ky helmim ka ardhur si rezultat i ujit të pijes, atëherë do të merren masa ligjore ndaj ujësjellësit.
“Është hera e dytë brenda një muaji që po raportohet për raste të tilla, që na kanë bërë të dyshojmë që këto mund të jenë të qëllimshme dhe kjo le të mbetet në kompetencë të prokurorisë që të vërtetojë”, u shpreh Ramosaj.
Ai ka njoftuar se gjatë ditës së hënë situata është duke u përmirësuar.