Nënshkrimi i Zotimit për Themelimin e
Qendrës për Studime Albanologjike “Milan Šufflay” në Universitetin e Zarës
Në një ceremoni solemne të zhvilluar në Universitetin e Zarës, Rektori i Universitetit, Prof. Dr. Sc. Josip Faričić, dhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Kroaci, Dr. Martin Berishaj, nënshkruan një zotim për themelimin e Qendrës për Studime Albanologjike “Milan Šufflay”.
Ky bashkëpunim shënon një hap të rëndësishëm për thellimin e marrëdhënieve akademike dhe kulturore midis Kosovës dhe Kroacisë. Qendra për Studime Albanologjike “Milan Šufflay” do të shërbejë si një platformë hulumtuese për promovimin e gjuhës, historisë, arkeoligjisë dhe kulturës shqiptare, duke i kushtuar një vend të veçantë trashëgimisë së veprës së historianit dhe albanologut të shquar Milan Šufflay.
Në fjalën e tij, Rektori Prof. Dr. Sc. Josip Faričić theksoi rëndësinë e këtij projekti për të forcuar lidhjet ndërmjet dy popujve në vigjile te 300 vjetorit të ardhjes së Arbëneshve (Arbanasëve) në Zarë dhe për të zgjeruar horizontet akademike të universitetit në fushën e studimeve ballkanike dhe albanologjike.
Nga ana tjetër, Ambasadori Dr. Martin Berishaj vlerësoi këtë iniciativë si një akt historik që do të pasurojë shkëmbimet akademike dhe do të kontribuojë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe gjuhësore të shqiptarëve në rajon.
Qendra për Studime Albanologjike “Milan Šufflay” pritet të zhvillojë programe kërkimore, konferenca shkencore dhe projekte ndërdisiplinore, duke u bërë një qendër e rëndësishme studimore dhe bashkëpunimi ndërkombëtar.