Kryeministri Avdullah Hoti, është takuar sot me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, në Pallatin Elysee në Paris, shkruan Gazeta Metro.
Hoti ka deklaruar se me Macron kanë biseduar për zhvillimet në Kosovë, dialogun me Serbinë si dhe për çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, gjë që presidenti francez nuk i ka premtuar asgjë.
Po ashtu Hoti ka thënë se e ka ftuar Macronin ta viziton Kosovën.
Postimi i plotë nga Hoti:
Shumë i nderuar me pritjen nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në Pallatin Elysee në Paris.
Marrëdhëniet e Kosovës me Francën janë të shkëlqyera, ndërsa Franca ka luajtur rol kyç në të gjitha fazat e shtet ndërtimit të Kosovës dhe populli i Kosovës është mirënjohës për këtë. Biseduam për zhvillimet në Kosovë dhe rajon, me fokus në perspektivën euro-integruese, si dhe për çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Franca mbetet e përkushtuar për të ndihmuar Kosovën në mbështetjen e procesit të dialogut me Serbinë, i cili duhet të përfshijë njohjen reciproke dhe normalizimin e marrëdhënieve.
U pajtuam që të bashkëpunojmë për shkëmbimin e të dhënave në mes të dy ministrive të Brendshme sa i përket rendit dhe ligjit, të punohet për promovimin e shkëmbimeve ekonomike në mes Francës dhe Kosovës, si dhe të punohet për promovimin e frankofonisë në Kosovë.
Jam i lumtur që Presidenti i Francës Macron e mirëpriti ftesën për vizitë në Kosovë, e cila vizitë do të ndodhë në të ardhmen në një moment të përshtatshëm për Presidentin Macron.