Luksemburgu – shtet i vogël në Evropën Perëndimore – pritet të bëhet vendi i parë në botë që ofron transport publik falas për qytetarët. Ky plan është pjesë e përpjekjeve të qeverisë për ta zgjidhur problemin e trafikut shumë të dendur.
Disa qytete kanë marrë masë të ngjashme, por Ministria e Transportit tha se kjo është hera e parë që transporti publik do të ofrohet falas në tërë territorin e vendit, i cili ka sipërfaqe rreth pesë herë më të vogël se Kosova.
Transporti publik do të jetë falas nga dita e shtunë dhe pritet të ndikojë në kursimin e 100 eurove në vit për të gjithë qytetarët. Kjo masë është pjesë e një plani më të gjerë për ta luftuar ngarkesën e trafikut.
Veturat private janë forma më e përdorur e transportit në Luksemburg. Autobusët përdoren vetëm nga 32 për qind e personave që udhëtojnë për në punë, ndërsa trenat vetëm 19 për qind. Sa për krahasim, në Paris, 69 për qind e punëtorëve e përdorin transportin publik.
Përjashtim nga oferta për transport publik falas përbëjnë udhëtimet e klasit të parë me trena dhe linjat e autobusëve në orët e vona të natës.