Ndërkohë që Londra është nën bllokim për shkak të koronavirusit, minjtë kanë gjetur terren të shkëlqyeshëm për të patrulluar në koshat e plehrave dhe oborret e banesave periferike. CNN raporton se lëvizja e minjve është bërë më e dukshme në kryeqytetin britanik sa më shumë që zgjat bllokimi referuar deklaratave të punonjësve që merren me dezinfektimin e brejtësve.
Ndërsa shumë restorante dhe ndërtesa zyrash në qendrën e qytetit të Londrës janë të zbrazëta, minjtë janë të detyruar të migrojnë në zona më të banuara në kërkim të ushqimit.
Familjet që kalojnë më shumë kohë në shtëpi dhe duke ngrënë të gjitha vaktet e tyre atje, kanë çuar në një rritje të plehrave dhe kjo po i tërheq minjtë në banesat periferike, si edhe po inkurajojnë brejtësit të gërmojnë në oborret e shtëpive.
Punonjësi bashkiak i dezinfektimit tregon për CNN rastin e një zonje të moshuar e cila i kishte thirrur pasi kishte rreth 10 deri në 15 minj që gërmonin rreth shtretërve të luleve.
Një tjetër punonjës tregon se në lindje të kryeqytetit, ka parë më keq. Ai thotë se kohët e fundit vrau një koloni minjsh në një kasolle, ndërsa shprehu frikën se Londra mund të marrë një surprizë të madhe kur të rihapet, nëse bizneset dhe pronat nuk kanë marrë masa për dezinfektimin. Ai thotë se normalisht merr rreth 10 thirrje për brejtësit në javë, por gjatë bllokimit ka qenë 20 plus.
Shoqata Britanike e Kontrollit të Dëmtuesve (BPCA deklaroi se anëtarët e saj raportuan një rritje prej 51% në aktivitetin e brejtësve gjatë bllokimit të parë, në pranverën e vitit 2020, dhe një rritje prej 78% në nëntor pas një bllokimi tjetër, ndërsa ende nuk i kanë llogaritur shifrat për këtë vit.