Partia Demokratike e Kosovës (PDK) që nga shkuarja e Kadri Veselit në Hagë, nuk po gjen “qetësi”.
Bastionin e PDK-së, Drenicën, që nuk e “theu” asnjë parti konkurrente që nga paslufta, siç duket po thyhet brenda llojit.
Pas Drenasit edhe në Skenderaj po shfaqen mospajtime.
Kandidati për kryetar dhe njëherësh kryetari i degës së PDK-së, Sami Lushtaku në një prononcim për Front Online ka thënë se nuk ka përçarje në Degën e Skenderajt.
“Veç përçarje në Drenicë në PDK nuk ka, jemi unik dhe të pandarë. Nuk ka përçarje në Partinë Demokratike e ke të sigurt”, ka thënë Lushtaku për Front Online.
Lushtaku ka pasur një porosi për ata që po i largohen PDK-së, duke u thënë se ata që po largohen asnjëherë se kanë dashur, por kanë pasur për qëllim përfitimin personal e jo të partisë.
“Besoj që ata që largohen tani asnjëherë nuk e kanë dashur PDK-në, me zemër po e kanë dashur veç për ndonjë interes personal. Përndryshe nuk e kanë asnjë arsye që të largohen apo të ketë përçarje”, ka thënë ai.
Lushtaku: S’kam as miqësi e as armiqësi me Ramiz Lladrovcin
I pyetur për raportet e ti me kryetarin e Drenasit Ramiz Lladrovcin, Sami Lushtaku tha se me të nuk ka as armiqësi, por as miqësi dhe se PDK-ja është më shumë se këta të dy.
“Unë me zotëri Lladrovcin asnjëherë edhe tash nuk kemi raporte as armiqësore e as miqësore .
Partia Demokratike është më shumë se unë dhe zotri Lladrovci”, ka thënë ai.
Kurse për Afrim Deliun nënkryetar i degës së Prellofcit, i cili doli hapur në mbështetje të Bekim Jasharit, tha se Deliu asnjëherë s’ka qenë në kryesi të PDK-së.
“Në Partinë Demokratike ndoshta ka qenë anëtar, por kurrë s’ka qenë në kryesi të Partisë Demokratike”, ka thënë Lushtaku.
Deliu nga dega e Skenderajt: Jam në PDK, por e përkrahi Bekim Jasharin
Kurse Afrim Deliu i kontaktuar nga Front Online tha se për respektin që ka ndaj familjes Jashari ka dalë në mbështetjeje të Bekim Jasharit në zgjedhjet që do të mbahen.
Ai madje ka porositur edhe degën e PDK-së që të bëj një gjë të tillë.
“Ne kemi respekt për familjen Jashari dhe mendoj që edhe ata ish dashur njëjtë si ne.
Deliu më tutje tha se nuk është larguar nga PDK-ja, por që në këto zgjedhje e mbështet Bekim Jasharin.
“Unë veç kam dal si kryetarë i nëndegës që e përkrahi Bekim Jasharin, nuk e kam lënë PDK-në, por vetëm e përkrahi kryetarin, sepse unë e përkrahi me komplet të gjitha ato struktura që kemi qenë në PDK por në këtë rast e përkrahi Jasharin”.
Ndryshe, zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 17 tetor të këti viti.