Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci në një intervistë ka folur për përçarjet e përfolura brenda PDK-së dhe ambiciet e tij për kryetar të kësaj partie.
Duke folur për zhvillimet e fundit në degën e PDK-së në Drenas, Lladrovci ka thënë se nuk mund ti referohet si përçarje tërë kësaj situate, sepse sipas tij uniteti i PDK-së është i padiskutueshëm dhe i pathyeshëm në nivel qendror e lokal
“Për bërryla nuk mund të them, por se ka protagonizëm, po e shoh nga disa tituj të disa personave në Drenas me tendencë promovimi e vetpromovim të vetvetes dhe miqve personal, duke harruar dokumentet themelore dhe parimet themelore të vendimmarrjes në partinë politike PDK. Disa anëtarë të Degës, anëtarët e kryesisë së Degës së PDK-së, i japin vetes kompetenca që nuk i kanë dhe nuk mund t’i kenë. Nuk mund ta quaj situatën në degë si përçarje sepse, uniteti i PDK-së është i padiskutueshëm, i pathyeshëm në nivel qendror e lokal. Zërat ndryshe janë sharmi i demokracisë”, ka thënë Lladrovci në një intervistë për Syri.net Kosova.
Lladrovci është shprehur i bindur se do të qeverisë edhe për një mandat me komunën e Drenast.
“Puna ime, performansa ime është e vlerësuar. Ky vlerësim vije nga institucionet kredibile që profesionalisht merren me vlerësimin e pushtetit lokal, por kjo përkrahje vije në çdo cep të komunës dhe nga qytetarët e komunës së Drenasit. Kurrë as nuk jam ndjerë as ndjehem i rrezikuar nga askush nga niveli lokal. Sepse, për të më rrezikuar dikush, duhet të ketë edhe cv më të pasur, edhe më shumë përvojë, edhe më shumë guxim, edhe më shumë vendosmëri për të zbatuar ligjin, edhe më punëtor e më të moralshëm në punë. Të tillë as njoh as pres të shfaqet asnjë kundërkandidat. Këtë pres ta vlerësojnë qytetarët, ashtu siç kam bashkëpunim të çdoditshëm me qytetarët e komunës tonë, gjithmonë në shërbim të tyre dhe interesit publik”, u shpreh ai.
Lladrovci ka treguar edhe nëse ka ambicie për të marrë në udhëheqje PDK-në. Ai ka thënë se këto pretendime nuk qëndrojnë.
“Jo, nuk e kam asnjë ambicie apo pretendim në politikë, as për ngritje brenda strukturave të PDK-së apo pozitë politike. Më 2016, e kam deklaruar se dy mandate në krye të Drenasit do të jenë të mjaftueshme për të demonstruar sa i dua qytetarët, sa punoj për ta dhe sa energji kam mundësi të japë për komunën e Drenasit. Shpallja e komunës së Drenasit si më e mira në Kosovë, është pjesë e synimit tim të realizuar në vepër dhe fitimi i granteve për mirëqenien e qytetarëve”, është shprehur ai.