Pasi parlamenti i Lituanisë ra dakord të dalë prej formatit 17 + 1 të Kinës, ministri i Jashtëm i vendit, Gabrielius Landsbergis, tha se programi i bashkëpunimit midis Pekinit dhe Evropës Lindore nuk i ka sjellë Lituanisë “pothuajse asnjë përfitim”.
“Unë nuk jam duke thënë se po largohemi dhe se ky është fundi, por ne duhet të konsiderojmë me të vërtetë se cila është mënyra e dobishme për të ndërtuar një marrëdhënie me Kinën,” tha Landsbergis për LRT.lt.
“Lituania duhet të shohë se cila është mënyra më e mirë për të reflektuar interesat e veta”, tha ministri. “Formati 17 + 1 nuk është i dobishëm për Evropën dhe ai e ndan Evropën, sepse disa vende kanë një mendim të ndryshëm për Kinën nga të tjerat”.
Në shkurt, Komiteti parlamentar i Lituanisë për Punët e Jashtme ra dakord që vendi të linte formatin 17 + 1 të Kinës. Sipas kryetarit të komitetit, Žygimantas Pavilionis, Lituania duhet të përqendrohet në punët me vendet demokratike në rajon.
“Kina synon të marrë përsipër infrastrukturën strategjike në vende të ndryshme, atëherë pse duhet të përfshihemi në këto rreziqe?”, kishte thënë Pavilionis më parë për LRT.lt.
Estonia, Letonia dhe disa vende të tjera në Evropën Lindore gjithashtu po mendojnë të ndërmarrin hapa të ngjashëm, tha ai, duke shtuar se Lituania ka në plan të zgjerojë marrëdhëniet me Tajvanin duke hapur një përfaqësim ekonomik në vend.
Përveç shteteve baltike, formati 17 + 1, i nisur në vitin 2012, përfshin gjithashtu Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Bullgarinë, Kroacinë, Republikën Çeke, Greqinë, Hungarinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Poloninë, Rumaninë, Serbinë, Sllovakinë dhe Slloveninë.
Pekini është zotuar të investojë në infrastrukturën lokale, duke përfshirë portet, rrugët dhe industritë që nuk kanë arritur të tërheqin kapitalin perëndimor, duke e bërë rajonin si lidhje të Kinës për në Evropë.
Sidoqoftë, disa vende janë ankuar që Pekini nuk i përmbush premtimet e tij për investime, si dhe kostot politike të marrëdhënieve me Kinën, pasi thellimi i bashkëpunimit me Pekinin mund të dëmtojë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, e cila shihet si garantuesi kryesor i sigurisë në rajon.
Shtetet Baltike kanë anuluar gjithashtu një samit të fundit 17 + 1, i cili u kryesua nga presidenti kinez, Xi Jinping, duke dërguar ministra në vend të krerëve të shteteve.