Anëtari i Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës, Lirak Çelaj ka bërë të ditur së në mbledhjen që ka mbajtur PDK sonte, ka kërkuar që të dorëhiqet Kryesia e partisë.
Çelaj tha se kërkesa e tij nuk është hedhur në votim, pasi që sipas tij kanë ndodhur disa manipulime.
“U diskutua për zgjedhjet e 14 shkurtit. Kërkuam të dorëhiqet kryesia e PDK-së, por kishte disa manipulime. Nuk u konstatua kuorumi, kryesia nuk ka të drejtë të votojë vetveten, kërkova të votohet në fshehtësi por nuk ndodhi”, tha Çelaj para mediave.
Pas Çelajt, para mediave u deklarua edhe kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj, i cili tha se vetëm Lirak Çelaj dhe Xhevahire Izmaku kanë kërkuar dorëheqjen e kryesisë.
Mbledhja e Këshillit Drejtues të PDK-së ka zgjatur rreth pesë orë.