Kandidati për Kryeministër nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, e sheh problematike qasjen e kundër kandidatit të tij Albin Kurtit, karshi zhvillimeve në shtetin e Kosovës në vitet e pasluftës.
“Ne kemi problem me njerëzit që mohojnë krejt çka ka ndodhur për 20 vjet në Kosovë. E shohin si pjesë të errët të Kosovës këto 20 vjet”.
“Se ka pasur gabime në qeverisje, pajtohem, është temë e debatit e vazhdueshme pafund. Por, Albin Kurti është duke thënë diçka tjetër. Albin Kurti deri para 6 tetorit e ka thënë në Parlament, ‘’këtu ka qenë terr, tash erdhi drita’’”.
“Mohon çdo gjë që ka ndodhur për këto 20 vjet, çdo kush në këtë vend që ka bërë diçka ka qenë terr, dhe me ardhjen e tij në pushtet, është ndriçu dita në Kosovë. Ky mohim është skajshëm i rrezikshëm, i kësaj filozofie politike”.
“Ne po flasim për qëndrime ai le t’i fiton 10 herë zgjedhjet. Unë nuk ndikohem as nga Facebook-u, as nga votat. Ajo filozofi e mohimit, që mbi sharjet, mohimin, mbi shpifjen ka ardhur deri këtu, ku është sot dhe kjo është rrënuese për vendin tonë”.
“Janë këto të arritura që ka arritur Kosova dhe janë këto gabime që ka bërë Kosova. Nuk mbyll debat kur thuhet se krejt çka ka ndodhur në Kosovë është terr, errësirë. Errësira për Kosovë ka përfunduar në ’99-ën, kur e kemi larguar okupatorin serb. Unë nuk mund t’i them errësirë qeverisjes së Vetëvendosjes, apo Lidhjes Demokratike nëse përpiqet të bëjë mbarë e mirë për vendin. Ne mund ta kritikojmë qeverisjen e tij, por me errësirë, është mohim i kontributit, çka me i thanë Policisë së Kosovës që doli e mbrojti? – atë polici që më herët e gjuajti me gur, dje doli e mbrojti, shtet është ky”.
Limaj deklaroi se Kosova ka 1 milion sinjale që tregojnë keq gjendjen në arsim, e në shëndetësi, megjithatë shprehet se në mohimin që e bënë Kurti, fillimisht duhet të dëshmohet pasi veten po e quan profet, njofton Klan Kosova.
“[Albin] Kurti po thotë që ‘’krejt çka ka ndodhur në këtë vend, është errësirë. Kosova është e mirë, kur fitoj unë, prej sot ka ardhë dita’’– pa e bë asnjë ditë punë. Pse? – sepse tash është ndriçu dita, sepse erdh profeti”.
“Ai [Albin Kurti] po e paraqet veten profet, pa e bërë ende asnjë punë”.
“Puno njëherë e të shohim a ka ardhë drita a jo. Merre përgjegjësinë, për 50 ditë na tregoi çfarë drite. Ai vet e rrëzoi veten. Veten e rrëzoi, sepse prishi partneritetin”.
“Kjo logjikë përjashtuese kjo po çon në përplasje, në mohimin e krejt të arriturave që ka bërë ky vend”.
“A e din ai njeri kur ta thotë këtë që ka plotë djem e vajza të Kosovës që janë profesionalizu e që e mbajnë këtë shtet, institucionet e rëndësishme. Veç kur ka shku brenda [Albin Kurti] e ka parë se Kosova ka shtet, kur është fut në qeveri e ka parë që Kosova funksionon”.