Fatmir Limaj, kandidat për kryeministër nga koalicioni NISMA-AKR-PD, përveç të tjerash sot ka folur edhe për kufijtë e Kosovës. Duke qenë se dialogu do të jetë një nga punët e para që do ta bëjë qeveria e ardhshme e Kosovës, Limaj, në një intervistë për REL, ka thënë se nuk do të negociohen kufijtë, por do të negociohet njohja e Kosovës dhe ndërtimi i fqinjësisë ndërmjet këtyre dy vendeve.
“Ajo çka ne shkojmë të negociojmë është njohja e Kosovës dhe ndërtimi i fqinjësisë. Nuk ka temë tjetër Kosova me Serbinë. Tani jemi në pozitë ku me Serbinë duhet të negociohet njohja e ndërsjellë dhe ndërtimi i fqinjësisë. Kjo është tema që ne do të angazhohemi si Kosovë”, ka thënë Limaj.
Sa i përket koalicioneve paszgjedhore, Fatmir Limaj, ka thënë se kjo do të varet nga vullneti i qytetarëve të Kosovës.
“Ne kemi disa pika me të cilat nëse do të kemi një ofertë nga ndonjë parti, kemi disa pika që duhen si parakushte për t’u ndërtuar një partneritet. Janë katër – pesë pika, për të cilat edhe fola, që janë parakushte që të mund të ndërtohet një partneritet serioz me forcat tjera (politike). Një nga to është edhe se si do t’i qasemi dialogut me Serbinë”, është shprehur ai.
Limaj, sa i përket luftimit të korrupsionit, ka thënë se është ithtar i reformave dhe objektivi i tij është që të mbet në kujtesën e njerëzve si një lloj kryeministri reformator, i cili bën reforma të thella.
“Sistemi shtetëror i Kosovës ka nevojë për një reformë të thellë, të tërësishme, jo vetëm në këtë dukuri. Kosova deri më tani ka ndërtuar institucione të cilat kanë kaluar pjesën emergjente. Tranzicioni na ka zgjatur, koha është për fillimin e konsolidimit të shtetit tonë. Dhe me katër – pesë pika për të cilat po flas, me reforma të thella në këtë drejtim, besoj ne do ta kishim vënë në binar të duhur zhvillim ose konsolidimin e shtetit të Kosovës. Përveç vullnetit, duhet edhe kompetencë në këtë temë”, pohoi ai.
Ai ka përfunduar duke thënë se ai është një shembull që është atakuar shumë në këtë sistem dhe e njeh, e ndjen se çka do të thotë padrejtësia dhe sipas tij, ai e di se sa është e nevojshme për qytetarët e Kosovës që të mbretërojë drejtësia dhe siguria juridike në çdo cep të Republikës së Kosovës dhe për çdo qytetar të Kosovës.