Raporti i Auditimit për pasqyrat financiare të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, thekson se kjo ministri ka paguar dhe regjistruar shpenzime në vlerë prej 1 milionë e 191 mijë e 332 euro në kategori jo adekuate.
Ky raport është shqyrtuar sot në Komisionin për Mbikëqyrje të Financave Publike, i cili ka vendosur që raportin e njëjtë me rekomandime shtesë ta dërgojë për trajtim në seancë të Kuvendit.
Raporti thekson mungesë të evidencës për vajtje-ardhjet në punë, mangësi në zbatimin e rregullores për sistematizimin e vendeve të punës, marrëveshje për shërbime të veçanta pa procedura të rekrutimit, mangësi në procedimin e pagesave, dobësi në procesin e vlerësimit të ofertave, dobësi në menaxhimin e pasurive kapitale dhe jokapitale.
Deputetja e LDK-së Besa Gaxherri, ka paraqitur raportin e Auditimit për pasqyrat financiare të MASH për vitin 2019.
“Ne tërheqim vëmendjen tuaj për faktin se përmes planifikimit buxhetor MAShT ka paguar dhe regjistruar shpenzime në vlerë prej 1 milion e 191 mijë e 332 euro në kategori ekonomike jo adekuate…Planifikimi dhe buxhetimi, pra buxhetit të shpenzuar, klasifikimin jo adekuat të shpenzimeve, dobësi në prokurim, anashkalimin e rregullave dhe procedurave të prokurimit, procesin e vlerësimit të ofertave si dhe në menaxhimin e dhënies së subvencioneve. Menaxhimi i pasurive e-pasurive. Dobësi në menaxhimin e personelit, vendosje e personelit të dyfishuar për pozitat e njëjta, angazhimin e punonjësve në MSHV pa respektuar procedurat, mungesa e monitorimit të vijueshmërisë të punonjësve në punë, pagesat e parregullta të stafit në Universitete për pjesëmarrje nëpër komisione”, tha ajo.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, tha se raporti është për kohën kur ai nuk ka menaxhuar me këtë ministri. Megjithatë, ai tha se ministria tash ka një plan të veprimit për zbatimin e rekomandimeve të cilat kanë dalë nga raporti i auditimit dhe po punojnë në zbatimin e tyre.
Ministri Likaj tha se gjetjet e Auditorit janë shqetësuese, për çka premtoj se do të ketë masa ndaj atyre nuk realizojnë rekomandimet e dala nda ky raport.
“Gjetjet e Auditorit janë shqetësuese, atë po e pranojmë dhe deri tash nuk kemi iniciuar ndonjë procedurë disiplinore për ndonjërën nga stafi, por besoj që shumë shpejt do ta iniciojmë dhe jam i bindur për këtë. Jo vetëm në aspektin e shkeljeve po edhe në aspektin e mos dëgjueshmërisë me rastin e realizimit të rekomandimeve të Auditorit…Kam kërkuar sekretarit të respektojë secili punonjës orarin e punës se i kam gjetur edhe nëpër kafe edhe njerëzit nuk i kanë kryer detyrat siç duhet. Por, unë më së pari në qoftë se nuk kryhet ndonjë veprim, veprimin e parë do ta marrë ndaj sekretarit dhe ndaj agjencioneve vartëse. Për këtë ju premtoj me plot kuptim edhe keni me pa veprime shumë konkrete në këtë drejtim, do të inicioj procedurë për arsye se shumë veprime, vullneti i mirë i joni, gatishmëria jonë me ec përpara, me qenë sa më transparent dikujt është duke i penguar në këtë ministri. Thash që raportet kanë qenë të lënduara përpara, por deri tash unë nuk e kam shikuar as përkatësinë partiake dhe asnjë prej stafit të MASH nuk është larguar nga puna”, tha ai.
Në këtë raport është theksuar se MASH ka mungesë të evidencës për vajtje-ardhjet në punë, ku në këtë ministri pas një procesi të rekrutimit me akt emërime ishin integruar 32 nëpunës të komunitetit serb, ish-pjesëtarë të “Mbrojtjes Civile”, ku kjo ministri nuk ka dëshmi për ta konfirmuar paraqitjen e tyre në vendin e punës për t’i kryer detyrat për të cilat janë të ngarkuar me kontrata, përderisa ishte bërë pagesa e rregullt e pagave të tyre. Në raport thuhet se vlera financiare për shpenzimet e pagave për vitin 2019, për këta 32 zyrtarë ishte 134,657€.
Raporti ka gjetur mangësi në projektin “Gjuha shqipe dhe kompjuteri”, ku MASHT kishte lidhur kontratë trevjeçare me procedurë të negociuar pa publikim për ‘’Blerjen e Licencave për përdorim të pakufizuar kohor të softuerëve për gjuhën shqipe dhe kompjuterin’’ në vlerë prej 4,392,000€.
Në raport thuhet se menaxhimi i këtij projekti ishte përcjell me mangësi nga fillimi i procesit, ndërsa theksohet se me datë 23.09.2019 MASHT kishte paguar 1.5 milionë euro sipas raportit të pranimit të punëve ku ishte caktuar një vlerë për tri lloje të aplikacioneve (licencave), përderisa një vlerë e tillë nuk ishte e specifikuar në kontratë apo në plan të menaxhimit të kontratës.
Lidhur me këtë, ministri i MASH, Ramë Likaj, tha se kanë iniciuar procedurat për themelimin e një komisioni të jashtëm për të vlerësuar gjendjen, e pastaj ai tha se do të vazhdojnë me procedura të tjera.
“Jam shumë i shqetësuar dhe kam kërkuar sipas rekomandimit të Auditorit të Përgjithshëm, kam iniciuar procedurë për të krijuar një komision të jashtëm me ekspertë të fushës për të vlerësuar njëherë gjendjen. Për pjesën tjetër, ne, siç e potencuam, do të hartojmë një raport me shkrim dhe do t’iu sjellim nëse gjejmë elemente ose ky komision i jashtëm vlerëson se këtu ka elemente të caktuara ne do të procedojmë në të gjitha drejtimet. Jo vetëm me e ndërpre, por njëkohësisht do të marrim edhe masa të tjera konform rekomandimeve të juaja. Është shumë jashtëzakonisht e madhe dhe do të jemi shumë të kujdesshëm për shpenzimin e parasë publike”, tha ai.
Deputeti i Vetëvendosjes Eman Rrahmani, tha se Raporti i Auditimit të kësaj ministrie është tejet shqetësues, për çka tha se ka çështje që mund të adresohen edhe në prokurori.
“Këtu gjetjet të cilat janë bërë nga Auditori ka vend të cilat mund të adresohen në Prokurori, e që besoj që nëse z.Likaj dhe të tjerët që e përfaqësojnë ministrinë e kanë vullnetin mund të bëjnë dhe t’i zgjedhin këto probleme që mos të përsëriten. U tha më herët që vlera prej 1 milion e 118 mijë e 209 euro janë shpenzuar në kundërshtim me ligjin, do të thotë nga kategoria e investimeve kapitale është shpenzuar për mallra dhe shërbime”, tha ai.
Raporti i Auditimit për vitin 2019 ka gjetur mangësi në zbatimin e rregullores për sistematizimin e vendeve të punës, ku për këtë deputeti i PDK-së, Sejdi Hoxha, tha se qeveritë e zgjedhura pas datës së 6 tetorit kanë përdorur një politikë për largim të pozitive drejtuese në institucione publike.
“Nuk është problem që po ndodh vetëm në MASH, por është problem që po na ndodh në shumicën e institucioneve të Republikës së Kosovës, e veçanërisht kjo çështje është e theksuar pas zgjedhjeve të 6 tetorit. Do të thotë qeveritë që janë ndërtuar pas zgjedhjeve të 6 tetorit kanë përdorur një politikë të largimit të të gjithë pozitave drejtuese në institucione publike, ndërmarrje publike, ministri e të tjera”, tha ai.
Për këtë ka reaguar deputeti i LVV-së, Eman Rrahmani, i cili tha se në kohën kur është bërë raporti në qeveri ka qenë PAN-i.
Komisioni në mbledhje të sotme ka shqyrtuar edhe raportin e Auditimit për Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.