Aktivistët e Lidhjes Demokratike të Kosovës në diasporë e kanë vazhduar praktikën e atyre të Vetëvendosjes, duke organizuar votime të kundërligjshme në Zvicër.
Votimi përmes postës, që ka filluar më 19 shtator për të gjithë bashkatdhetarët që jetojnë jashtë Kosovës është duke u keqpërdorur me të madhe edhe pas afatit ligjor.
“Posta e Zvicres nuk deshton e as qe guxon te Gabon,keshtu qe tani me Istref Rudaj 248 vota i percolem,mire u pafshim ne Kosoven e LDK-së.!!!!”, ka shkruar aktivisti i LDK-së në Zvicër, Riza Smajli, para 16 orësh.
Por, votimi përmes postës nga ana e mërgimtarëve ka përfunduar më 20 shtator, kurse dje ishte 26 shtatori.
Në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe nenit 89.3 dhe 89.4 askush nuk lejohet të votojë në emër të një votuesi tjetër, përpos atyre që janë me aftësi të kufizuara dhe që nuk janë në gjendje të shënojnë ose hedhin fletëvotimin dhe/ose janë analfabet. Vetëm këta mund të ndihmohen nga një person tjetër, sipas Kushtetutës, i zgjedhur nga votuesi nëse ai kërkon një ndihmë të tillë.
Ndërkaq, neni 89.4 thotë shumë qartë se secili votues e plotëson fletëvotimin e vet në fshehtësi mbrapa kabinës së votimit.
Bazuar në këtë nen vetëm një person lejohet mbrapa kabinës së votimit gjatë një intervali të caktuar kohor, përveç nëse votuesi ka kërkuar ndihmë nga personi tjetër, siç përcaktohet në paragrafin 5 të këtij neni.
Në herët ishte publikuar edhe një videoincizim me disa aktivistë të Vetëvendosjes, ku shiheshin duke i plotësuar rreth 50 fletëvotime të shpërndara mbi tavolinë, të cilat i përgatisin për t’i dërguar në zyrat e KQZ-së në Prishtinë përmes shërbimeve postare.