Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dekretuar Ligjin për Buxhetin dhe plotësim/ndryshimet e tij, të cilin e ka pranuar dje pasdite.
Kështu bëri të ditur Thaçi, i cili përmes një postimi në Facebook tha se e ka bërë dekretimin e menjëhershëm që sa më parë të ekzekutohen pagesat për qytetarët dhe të zbuten pasojat e pandemisë.
“Sapo dekretova Ligjin për Buxhetin dhe plotësim/ndryshimet e tij, të cilin e kam pranuar dje pasdite. E bëra dekretimin e menjëhershëm që sa më parë të ekzekutohen pagesat për qytetarët tanë dhe të zbuten pasojat e pandemisë. Jam i vetëdijshëm për shqetësimet e ngritura nga përfaqësues të sektorëve të ndryshëm, por hyrja në fuqi e këtij ligji është domosdoshmëri urgjente për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve. Ekzekutivi i vendit jam i bindur se do të gjejë hapësirë dhe mundësi për t’i trajtuar të gjitha shqetësimet e ngritura nga përfaqësuesit sektorialë. Por, prioritet dhe qëllim i përbashkët i të gjithë neve është lehtësimi i pasojave të pandemisë dhe menaxhimi sa më i mirë i kësaj situate”, ka shkruar Thaçi.
Zyra e Presidencës ka pranuar dje nga Kuvendi projektligjin e votuar për rishikimin e buxhetit të vitit 2020.
Kështu ka bërë të ditur për Gazetën Sinjali, dje sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi, i cili tha se janë dërguar edhe pesë ligje të tjera për ratifikim të marrëveshjeve ndërkombëtare.
Krasniqi theksoi se ky projektligj do të hyjë në fuqi sapo të publikohet në Gazetën Zyrtare.
“Sot kemi dërguar projektligjin për buxhetin dhe pesë ligje për ratifikim të marrëveshjeve ndërkombëtare. Gjashtë ligje janë dërguar sot në Zyrën e Presidentit të Kosovës. Jemi në pritje të dekretimit nga ana e presidentit. Në momentin që e marrim dekretin nga presidenti, ligji shkon në Gazetë Zyrtare dhe për dallim të Kushtetutës së Kosovës që ligji hyn në fuqi 15 ditë pas publikimit, ky ligj hynë në fuqi ditën e publikimit. Nëse nesër dekretohet, nesër e dërgojmë në Gazetë Zyrtare dhe hyn në fuqi menjëherë”, ka thënë Krasniqi.
Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami kishte deklaruar se në momentin që presidenti Thaçi e dekreton ligjin dhe të shpallet në Gazetën Zyrtare, do të fillojë ekzekutimi i pagesave nga Pakoja Emergjente.
Bajrami ka theksuar se për shkak të situatës emergjente, do të kërkojnë nga Zyra e Presidentit që ligji të ratifikohet në një afat sa më të shkurt.
“Secili Ligji pasi të hyjë në Kuvend ka edhe një procedurë tjetër për të hyrë në fuqi. Presidenti i Kosovës ka shtatë ditë ose tetë afat për ratifikim, besoj për shkak të situatës do të kërkojmë nga Zyra e Presidentit që ligji të ratifikohet me një afat më të shkurt. Janë gjëra në këtë moment që nuk varen nga ne, varet nga Zyra e Presidentit se kur ai do ta dekretojë dhe të shpallet në gazetën zyrtare. Në momentin që kjo ndodhë, ne si Ministri dhe Thesari është i gatshëm që të fillojë me ekzekutimin e pagesave”, ka thënë Bajrami.