Edhe Njësia Speciale e Kosovës është larguar nga pika kufitare në Jarinjë, pas largimit të kamionit të fundit me mbishkrimin “Asociacioni i komunave serbe”.
Tani pikat kufitare janë nën kontroll te KFOR-it, patrullim ky që do të vazhdojë për dy javët e ardhshme.
Sot në orën 16:00 ishte afati i fundit kohor që të dya palët të largoheshin nga vendi i ngjarjes për t’i lëshuar rrugën KFOR-it, të cilët do të patrullojnë për dy javët e ardhshme.
Sipas 3 pikave të marrëveshjes Njësitet Speciale tërhiqen pasi pjesëtarët e KFOR-it vendosen në dy pikat kufitare dhe hiqen barrikadat.
a. Njësitet speciale policore të vendosura në pikëkalimet e përbashkëta kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, do të largohen bashkë me barrikadat, duke nisur nga 2 tetori, ora 08:00 deri në orën 16:00 të asaj dite. Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, do të angazhohet në këto dy pika në Jarinjë dhe Bërnjak, para nisjes së tërheqjes të zyrtarëve policorë dhe barrikadave, dhe do të mbetet aty për dy javë për të garantuar sigurinë.
b. Nga 4 tetori, do të nisë së zbatuari përkohësisht regjimi i letrave ngjitëse, në vend të heqjes së targave të makinave të regjistruara në Kosovë dhe Serbi, deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme.
c. Më 21 tetor do të nisë punën një ekip i përbërë nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, Prishtinës dhe Beogradit për të gjetur një zgjidhje të përhershme. Brenda gjashtë muajve, prej nisjes së takimit të parë, i ashtuquajturi Grup Punues, do të prezantojë gjetjet për një zgjidhje të përhershme në formatin e dialogut të nivelit të lartë.