Për të tretën ditë me radhë rrugët që qojnë në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak vazhdojnë të jenë të bllokuara nga qytetarët serbë që po vazhdojnë të kundërshtojnë vendimin e Qeverisë së Kosovës për reciprocitet me Serbinë, saktësisht të targave të automjeteve.
Automjete të rënda dhe mjete të tjera po vazhdojnë të vendosen në rrugë, duke penguar kështu lëvizjen e lirë në këtë anë.
Serbët vazhdojnë të kundërshtojnë vendimin e institucioneve të Kosovës, kurse në Jarinje dhe Bërnjak janë shtuar forcat policore të Njësive Speciale të Kosovës të cilët po kujdesen për mos-eskalimin e situatës në veri.
Shumë serbë janë duke u grumbulluar vazhdimisht në këtë anë e disa herë radhazi kanë ndezur edhe zjarre dhe kanë kënduar këngë me tekste provokuese për shqiptarët.
Pavarësisht gjithë kësaj, institucionet e Kosovës kanë bërë thirrje tek serbët që të respektojnë këtë vendim dhe të ndërrojnë targat në hyrje të Kosovës e të vendosin ato të përkohshme.
Kryeministri Albin Kurti deklaroi sot se automjetet të cilat po vendosen për të bllokuar rrugët janë të institucioneve komunale në pjesën veriore, derisa u ka bërë thirrje drejtuesve të komunave me shumicë serbe që ti largojnë ato, pasi sipas tij janë duke e bllokuar veten.
Oferta e vetme sipas Kurtit është që Kosova dhe Serbia të bëjnë lëvizjen e njëjtë, pra të pranojnë targat e njëra-tjetrës dhe në këtë mënyrë automjetet do të mund të lëviznin lirshëm pa pasur nevojë për targa provuese.
Përpos në Jarinje dhe në Bërnjak në pikat tjera kufitare me Serbinë shumë prej drejtuesve të automjeteve po vazhdojnë të ndryshojnë targat, kësisoj pa kundërshtar vendimin e marrë nga Qeveria e Kosovës.
Duhet përkujtuar që nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës është bërë thirrje që të ulen tensionet në mes të dyja vendeve.